Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën në pauzë procedurat për lëshimin e vizave për emigrantë, por kjo nuk ndikon në procedurat e tjera për studentë, sipërmarrës, turistë e të ngjashme, sqaroi sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, përcjell TV21.
Duke folur për vendimin e Departamentit të Shtetit për pezullimin e përkohshëm të procesit për lëshimin e vizave emigrante për 75 vende, përfshirë edhe Maqedoninë, ai theksoi se bëhet fjalë për një pauzë vetëm për procedurat e vizave për emigrantë.
Nuk është ndalim, nuk është lista e zezë, por një pauzë për procedurat e vizave emigrante. Kjo nuk ndikon në asnjë procedurë tjetër për lëshimin e vizave për SHBA. Nëse jeni një sipërmarrës që dëshironi të udhëtoni në SHBA, mund të aplikoni lirshëm për vizë”, theksoi Mucunski, duke nënvizuar se kjo vlen edhe për studentë, turistë.
Ai shtoi se janë në komunikim me Ambasadën e SHBA-së në Shkup dhe se ambasada e Maqedonisë në Uashington është në kontakt me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe, sipas informacionit më të fundit, numri më i vogël i aplikimeve nga qytetarët tanë është për këtë lloj vize dhe, përgjithësisht, bëhet fjalë për qytetarë të kategorisë më të moshuar.
Prioriteti i vendit tonë në fushën e politikës së vizave me shtetet e tjera, theksoi Mucunski, “nuk janë vizat emigrante, por vizat që synojnë zhvillimin e vendit, dhe zhvillimi i vendit nënkupton politikë më të mirë vizash për sipërmarrësit, shkencëtarët, studentët, për të gjithë qytetarët tanë dhe këtu nuk ka ndryshim në politikën e vizave”.
“Në mënyrë perceptuese, kjo më kujton tërë historinë me tarifat. Kur dolën të dhënat për tarifat, dëgjova kritika që ishim renditur mes vendeve me tarifat më të larta, por kur arritëm të bëhemi ndër vendet me tarifat më të ulëta për industritë që janë të rëndësishme për ne, kur arritëm të shpëtojmë vende pune në kompani, të njëjtët kritikë nuk i dëgjoj askund”, deklaroi Mucunski.

