Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në një drekë pune me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, deklaroi se gjatë vitit 2025 pritet të fillojnë negociatat për anëtarësim, duke hapur kapitujt e parë të negociatave.
Sipas tij, ky vit shënon një përvjetor të trishtuar – 20 vjet nga marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE. Ai shtoi se gjatë këtyre dy dekadave janë marrë një seri vendimesh të mëdha dhe kompromise të dhimbshme, të gjitha me qëllim realizimin e aspiratës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ka ardhur koha të vazhdojmë rrugën evropiane. Jemi të gatshëm për dialog me vullnet të mirë dhe për gjetjen e zgjidhjeve të arsyeshme. Është koha që BE-ja të marrë një vendim strategjik për mënyrën se si do të veprojë më tej me rastin tonë si një lloj lakmusi për kredibilitetin e historisë evropiane në rajon dhe më gjerë. Rruga përpara nuk kalon përmes një bilaterizimi konstant të procesit të anëtarësimit dhe kushteve që kanë pak lidhje me thelbin e ideologjisë evropiane dhe vlerave të saj“, tha Mucunski.
Ai theksoi se integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE është një nevojë gjeostrategjike, që do të kontribuonte në forcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në të gjithë kontinentin.
Megjithatë, ai shtoi se procesi i anëtarësimit në BE duhet të mbetet i besueshëm dhe i bazuar në merita, dhe progresi i arritur duhet të jetë i dukshëm. Në këtë kuadër, ai tha se fokusi i Qeverisë do të jetë më i fuqishëm në zbatimin e reformave në fushat kyçe – sundimi i ligjit dhe drejtësia, lufta jo-selektive kundër korrupsionit, veçanërisht atij të nivelit të lartë, përmirësimi i efikasitetit të institucioneve, reforma e administratës publike dhe forcimi i kapaciteteve ekonomike të shtetit.
Në këtë takim pune mori pjesë edhe ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, i cili u shpreh se shikon me optimizëm vitin që vjen për shkak të përpjekjeve të bëra deri tani. Ai theksoi se viti ka filluar me prerje shiriti për dy projekte shumë të rëndësishme të Korridorit 8 dhe Korridorit 10.
“Shpresoj që ky vit të mos përfundojë vetëm me prerje shiriti, por edhe me përparim në procesin e anëtarësimit. Ne kemi një platformë të shkëlqyer për të punuar, agjenda e reformës është një dokument shumë të mirë, por gjithashtu përmban disa kuti të rëndësishme që duhet të shënjohen në vitin 2025. Ka shumë dhe së bashku ekipi im nga Delegacioni i BE-së do t’ju ndihmojë juve, kryeministrit dhe Ministrisë për Çështje Evropiane për përmirësimin e kësaj agjende të rëndësishme“, deklaroi Rokas.