Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka deklaruar se investitorët turq në shumë fusha, përfshirë në infrastrukturë, banka dhe shëndetësi, kanë dhënë një kontribut pozitiv në mjedisin e biznesit të Maqedonisë së Veriut.
Mucunski, i cili qëndron për vizitë në Türkiye në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalya (ADF2025), ku Anadolu është “Partner Global i Komunikimit”, iu është përgjigjur pyetjeve nga Anadolu.
Mucunski u shpreh i kënaqur për pjesëmarrjen e tij në forumin ADF2025 dhe tha se forumi është një ngjarje shumë e mirë-organizuar me folës të kualifikuar nga politika, akademia, shoqëria civile dhe fusha të ndryshme të jetës.
Shefi i diplomacisë maqedonase, ndër të tjera, foli edhe për rolin e Türkiyes në Ballkanin Perëndimor.
“Veçanërisht kur shohim infrastrukturën tonë, bankat dhe shëndetësinë, ka shumë investitorë të suksesshëm në këto fusha që vijnë nga Türkiye. Këto kompani japin një kontribut shumë pozitiv në mjedisin e biznesit në vendin tonë”, tha Mucunski.
Mucunski theksoi se Türkiye është një element i stabilitetit politik dhe se aleanca e saj në NATO ka një ndikim pozitiv në Ballkan.
“Do të punojmë së bashku me Türkiyen për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe”
Duke vlerësuar se marrëdhëniet dypalëshe me Türkiyen janë të shkëlqyera, Mucunski kujtoi se i ftuari i parë që ai priti pas marrjes së detyrës ishte ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.
“Besoj se kemi potencial të madh në fushën e ekonomisë, tregtisë, politikës, arsimit dhe kulturës. Jemi dy popuj që historikisht jemi të ndërthurur dhe kemi respekt të madh për njëri-tjetrin. Prandaj, qeveria jonë do të tregojë vendosmëri të fortë për të punuar me Türkiyen për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe”, tha Mucunski.
Mucunski gjithashtu theksoi se shumica e të plagosurve nga zjarri që rezultoi në vdekjen e 61 personave në Koçan nga zjarri në një lokal nate muajin e kaluar, po trajtohen në Türkiye.
“Kjo ndodhi falë mbështetjes së fortë dhe efektive të presidentit Erdoğan dhe mikut tim të dashur, ministrit të jashtëm Hakan Fidan. Më lejoni të them se ne i jemi mirënjohës qeverisë suaj, punonjësve tuaj të kujdesit shëndetësor që akoma po kujdesen për disa nga të rinjtë tanë dhe mbi të gjitha popullit turk”, u shpreh ai.
“Mbështesim zgjidhjen me dy shtete” për çështjen e Palestinës
Duke iu referuar shkeljes së armëpushimit nga Izraeli dhe rifillimit të sulmeve brutale në Rripin e Gazës, Mucunski tha se “një nga problemet më të mëdha globale tani është se ka kaq shumë konflikte”.
“Ne si popull e mbështesim zgjidhjen me dy shtete në politikën tonë të jashtme”, tha Mucunski për çështjen e Palestinës.
Ai theksoi se janë për ndërveprim mes palëve për gjetjen e një zgjidhje dhe ndalimin e humbjeve të jetëve në rajon.