Mucunski: Gjithsej 28 qytetarë tanë janë paraqitur për evakuim nga Izraeli

4 Min. Leximi

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski sot në konferencë për shtyp deklaroi se gjithsej 28 persona janë paraqitur për t’u evakuuar nga Izraeli dhe se evakuimi do të kryhet me aeroplanin qeveritar. Ai theksoi se më së voni deri nesër, tetë shtetas tanë, katër prej të cilëve janë fëmijë, do të nisen për në Egjipt dhe me aeroplan qeveritar, të shoqëruar nga një konvoj sigurie do të mbërrijnë në Shkup.
“Menjëherë pas marrjes së informacioneve për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Afërt, Ministria, përmes ambasadës sonë në Izrael, filloi aktivitetet për evakuimin e qytetarëve tanë. Është formuar një shtab krize për nxjerrjen e tyre të sigurt. Sipas informacioneve të fundit, 28 qytetarë kanë kërkuar mbështetje për evakuimin. Presim që tetë nga qytetarët tanë të transferohen në territor të sigurt deri në fund të ditës ose më së voni nesër. Do të organizohet edhe një konvoj i sigurt për transport drejt Egjiptit. Grupi i dytë pritet të largohet nga Izraeli menjëherë pas vendosjes së trafikut të rregullt ajror nga Tel Avivi. Në këtë fazë, evakuimi do të kryhet me një aeroplan që do të sigurojë transportin”, tha Mucunski në konferencë për shtyp.

Minsitri Mucunski deklaroi se rreth 100 shtetas nga Maqedonia ndodhen në territorin e Izraelit, nga të cilët 28 deri më tani kanë kërkuar evakuim për t’u kthyer në Maqedoni.

- Advertisement -

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski, paraprakisht deklaroi se aeroplani qeveritar do të angazhohet për evakuimin e disa qytetarëve të Maqedonisë në Izrael.

“Çdo ditë jam në komunikim me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Muçunski dhe po bëhet një plan për evakuimin e qytetarëve të Maqedonisë. Do të angazhohet edhe aeroplani qeveritar për t’i transportuar ata në një nga vendet fqinje, me shumë mundësi në Egjipt. Aktualisht ka nëntë qytetarë dhe pres që evakuimi të përfundojë deri nesër”, tha Mickoski.

MPJ-ja dje apeloi, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Lindjen e Afërt, të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që ndodhen në territorin e Izraelit dhe Iranit, nëse kanë nevojë për ndihmë konsullore, menjëherë të kontaktojnë me institucionet kompetente përmes numrave kujdestare të telefonit (SOS).

Njëherit, ata u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të përmbahen nga udhëtimet në vendet e këtij rajoni derisa të përmirësohet situata e sigurisë.

- Advertisement -

Për ndihmë dhe asistencë, qytetarët mund të drejtohen në kontaktet e mëposhtme: Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv – Tel: +972 54 500 8566 / +972 54 967 0546 Email: [email protected].

Më tej, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Tel: +389 75 273 732 / +389 75 268 736, Email: [email protected].

Nga atje shtojnë se në kuadër të Ministrisë është formuar një shtab i krizës i cili vazhdimisht e ndjek situatën dhe është në dispozicion 24 orë në ditë për të gjitha nevojat lidhur me ndihmë, mbështetje dhe asistencë.

“Në fund, edhe një herë u bëjmë thirrje qytetarëve tanë që ndodhen në rajonet e prekura, nëse kanë nevojë për ndihmë konsullore, të kontaktojnë pa vonesë kontaktet e theksuara SOS”, qëndron në kumtesën e MPJdheTJ.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull