Zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e VLEN, Bekim Sali, lidhur me Kodin zgjedhor thotë se ai ka avantazhet dhe disavantazhet e saj, por çështja është se a jemi gjithëpërfshirës për të gjitha etnitë dhe që zëri i tyre të dëgjohet në Kuvend”.
“Janë disa kritere dhe në bazë të atyre duhet ta zgjedhim modelin më të mirë, jo në favor të atyre që vendosin sot, sepse ne sot kemi pushtet, mund ta bëjmë ashtu si duam për shkak të shumicës. Është një procedurë që e diskutojmë se nuk ka zgjedhje, duke mos i shpjeguar se pse një Njësi, ne nuk e dimë se çka ka brenda pakos së idesë së z. Ahmeti për një Njësi, nëse keni qenë kundër 20 vite dhe tani përnjëherë e ndryshoni, unë kësaj i them më tepër vardisje politike ndaj VMRO-së se sa një qëndrim i përpunuar dhe argumentuar mirë se pse një Njësi zgjedhore është e mirë se sa versionet e tjera me 3, 6 apo 8”, thotë Sali.
Ai shton se duhet ta kemi të qartë një gjë, “kyçjen e diasporës në procesin e votimit dhe kjo do të jetë një pikë që do ta propozojnë si koalicion VLEN”.
“Është temë që e kemi diskutuar si element të rëndësishëm në proceset zgjedhore se ajo duhet të votojë, në mënyrë elektronike apo me postë do të duhet të votojë, mos pranohet modeli i 3 zonave sepse e dimë se në të kaluarën të tre zonat na sollën një rezultat që nuk ishte në favorin tonë”, tha Sali.

