VLEN-I ka bërë të ditur sot nga pika kufitare e Tabanocit se shumë shpejt aty do të vihet në funksion sistemi modern “One Stop”, i cili synon të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve, veçanërisht gjatë sezonit veror kur fluksi i mërgimtarëve arrin kulmin, transmeton ZYRTARE.net
Përmes një komunikate për media, VLEN thekson rëndësinë e këtij investimi për jetën e përditshme të qytetarëve dhe mërgimtarëve:
“Kufiri i Tabanocit, i njohur për qarkullimin e madh, shumë shpejt do të jetë pjesë e sistemit efikas ‘One Stop’ – një ndalesë, një kontroll, kalim i shpejtë dhe i sigurt,” thuhet në njoftim.
Shembull konkret i suksesit të këtij sistemi është pika kufitare në Bllacë, në kufi me Kosovën, ku “pritjet disaorëshe u shndërruan në kalime disa minutëshe”, duke rritur dukshëm qarkullimin dhe duke përmirësuar përvojën e udhëtarëve.
VLEN u drejtohet me një mesazh të veçantë mërgimtarëve, të cilët çdo verë përballen me pritje të gjata në kufij:
“Të dashur mërgimtarë, ju jeni krenaria jonë dhe Qeveria VLEN kujdeset për ju, sepse ju VLENI.”
Vendosja e sistemit “One Stop” në Tabanoc pritet të përfundojë përpara fillimit të sezonit të verës, duke u ofruar qytetarëve një përvojë më të lehtë dhe më dinjitoze në udhëtim./ZYRTARE.net