Situata me mbeturinat në Qytetin e Shkupit po kthehet në një shqetësim serioz edhe për komunitetin mjekësor. Mjekja e Klinikës Shtetërore, Semiha Selam, ka reaguar publikisht përmes një statusi në rrjetet sociale, ku paralajmëron për rrezikun shëndetësor që po i kanoset qytetarëve.
“Situata me mbeturinat në Qytetin e Shkupit po bëhet alarmante. Gjithandej po kundërmon erë e keqe. Me temperaturat e larta rrezikojmë paraqitjen e ndonjë epidemie. Si mjeke, thërras autoritetet e Qytetit të Shkupit të ndërmarrin masa që të parandalohet ky ekocid që po ndodh në kryeqytet në shekullin 21!!!”, ka shkruar mjekja Semiha Selam.
Këtë reagim ajo e bëri në një kohë kur qyteti përballet me probleme të theksuara në menaxhimin e mbeturinave, ndërsa temperaturat e larta të verës e bëjnë situatën edhe më të rrezikshme për shëndetin publik.
Thirrja e mjekes është një alarm i qartë për autoritetet që të marrin masa urgjente për të përmirësuar gjendjen e pastërtisë dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të Shkupit.