Nga ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, kryediplomati Hasani tha se Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të mbrojtur popullsinë nga kërcënimet e Iranit.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga tensionet e përshkallëzuara në Lindjen e Mesme, sidomos përballjet e fundit mes Izraelit dhe Iranit. Këto zhvillime paraqesin një rrezik serioz për stabilitetin më të gjerë rajonal me pasoja globale. Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të ruajtur sigurinë e vet dhe për të mbrojtur qytetarët nga kërcënimet e mirëfillta.
Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje Iranit që të ndalë aktivitetet e veta bërthamore dhe të raketave balistike. Irani duhet që të veprojë në përputhje të plotë me detyrimet e veta në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe Traktatin e Mos përhapjes së Armëve Bërthamore. Përdorimi apo zhvillimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja katastrofike në rajon e përtej. Në këtë kontekst të brishtë, Shqipëria u bën thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtjen maksimale dhe të angazhohen seriozisht në përpjekjet diplomatike të synuara për uljen e tensioneve dhe për një zgjidhje të qëndrueshme politike”, tha Hasani.
Hasani përsëriti objektivin për hapjen e të gjithë grup-kapitujve deri në fund të vitit 2025 dhe mbylljen e tyre deri në fund të vitit 2027.
“Me hapjen e katër grup-kapitujve të negociatave, Shqipëria është në rrugën e duhur dhe tërësisht e përkushtuar për të avancuar procesin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Objektivi ynë është ambicioz, por i arritshëm: të hapim të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit 2025 dhe të përmbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027. Po punojmë me vendosmëri që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim të plotë para fundit të kësaj dekade”, tha Hasani.
Me këtë samit, Shqipëria përmbylli presidencën e saj të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore për periudhën korrik 2024 – qershor 2025.