Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në takimin e Grupit sektorial për konkurrueshmëri dhe inovacione, deklaroi se Maqedonia e Veriut po avancon me hapa të sigurt drejt forcimit të ekonomisë dhe rritjes së gatishmërisë për integrim në tregun e vetëm evropian.
Gjatë diskutimeve me përfaqësues të BE-së, institucioneve shtetërore, donatorëve dhe sektorit civil, u prezantuan reformat kryesore që tashmë janë në zbatim. Ndër to përfshihen Strategjia SMART, Strategjia Kombëtare Zhvillimore, Strategjia për NVM-të dhe programet e mbështetjes për eksport. Këto dokumente synojnë rritjen e inovacionit, zhvillimin e aftësive, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, si dhe përmirësimin e klimës së biznesit.
Durmishi theksoi se bashkëpunimi me Komisionin Evropian dhe programet IPA ka ndihmuar dukshëm në përmirësimin e kornizës ligjore, forcimin e institucioneve dhe rritjen e mundësive për bizneset vendore. Ai nënvizoi se Agjenda Reformuese është një instrument modern që ofron qasje të reja për realizimin e objektivave dhe përmirësimin e klimës ekonomike në vend.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të investojë në sektorë strategjikë si energjia, inovacioni, bujqësia dhe digjitalizimi, duke forcuar pozicionin e saj në rajon dhe duke u afruar më shumë me standardet evropiane.

