Ministri Aliu po heton, por dyshon se do të gjejë të dhëna për “eksportin e trurit” në SHBA

3 Min. Leximi

Ligji i vjetër i obligonte institucionet t’i ruanin dokumentet për eksportin e trurit si material biologjik për 15 vjet, ndërsa ligji i ri, nga viti 2018, parasheh ruajtjen për 25 vjet. Sipas të dy ligjeve, afatet tashmë kanë skaduar dhe institucionet nuk kanë më obligim t’i ruajnë dokumentet për eksportet që kanë ndodhur para 30 vjetësh. Kështu e shpjegoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, hetimin që po zhvillohet në Ministri lidhur me eksportimin e trurit të maqedonasve të ndjerë me diagnozë psikiatrike, të cilët për qëllime shkencore ishin dërguar në SHBA.

“Unë kërkoj nga grupi ynë të sigurojë informacione se si është bërë kjo, si ka kaluar ai material nga një shtet në tjetrin – kjo është pjesa jonë. Por ka edhe një moment të dytë për të cilin duhet t’ju informoj: sipas ligjit të vjetër, deri në vitin 2018, të gjitha materialet dhe dokumentet administrative me ligj duhej të ruheshin 15 vjet. Nga viti 2018, sipas direktivave të BE-së, të gjitha dokumentet që lidhen me këtë lloj materiali biologjik duhet të ruhen 25 vjet. Nëse i marrim parasysh si ligjin e vjetër ashtu edhe të riun, dhe bëhet fjalë për një projekt para 30 vjetësh, kam frikë se ndonjë institucion mund të mos i ketë më të arkivuara këto dokumente”, tha ministri Aliu.

Mendimi personal i ministrit është se ka pak mundësi për keqpërdorime në gjithë procesin, pasi bëhet fjalë për një projekt hulumtues mes dy shteteve.

“Shteti i dytë është SHBA-ja, ku ekzistojnë protokolle shumë të qarta kur bëhet fjalë për material biologjik. Ky është fakti i parë që duhet ta kemi parasysh. Fakti i dytë që mua personalisht më jep siguri se mund të ketë pak keqpërdorime është institucioni nga ana tjetër – bëhet fjalë për një universitet prestigjioz. Po ashtu, shkencëtari që është kryesor në atë universitet është një emër botëror në shkencë dhe, duke u nisur edhe nga vetja ime, nuk besoj se ai shtet, ai universitet apo ajo laborator mund të lejojë keqpërdorime për import të materialit biologjik pa protokolle të qarta të përcaktuara. Ky është mendimi im personal”, tha ministri Aliu.

Publiku maqedonas mësoi se dikur nga vendi ynë ishin eksportuar truri i personave të ndjerë për hulumtime shkencore pasi Ministria amerikane e Drejtësisë publikoi dokumentet e miliarderit të ndjerë, të akuzuar për trafikim me njerëz, pedofili dhe përdhunim, Jeffrey Epstein.

Prokuroria Publike sot njoftoi se pas publikimeve në media është hapur një lëndë “pas dëgjimit të zërit të publikut”, për shkak të pretendimeve që dalin nga dokumentet e publikuara në rastin Epstein.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull