Qindra mijëra njerëz janë dyndur në Teheran, ndërsa pritet që miliona të marrin pjesë në ceremonitë njëjavore të varrimit për ish-Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Përkujtimi shumëditor e ka shndërruar kryeqytetin në qendrën e një lamtumire historike, për të cilën zyrtarët thonë se do të mbledhë më shumë se 10 milionë pjesëmarrës nga i gjithë vendi dhe jashtë tij.
Turmat kanë mbushur rrugët kryesore dhe xhaminë e madhe Imam Khomeini Mosalla të shtunën, ndërsa pjesëmarrësit, shumë prej tyre të veshur me të zeza dhe me flamuj në duar, u mblodhën për të parë arkivolin e liderit 86-vjeçar, i cili sipas raportit u vra në një sulm të përbashkët SHBA-Izrael në fillim të luftës kundër Iranit në muajin shkurt.
Krah tij po nderohen edhe trupat e disa anëtarëve të familjes së tij që humbën jetën në të njëjtin sulm, përfshirë edhe mbesën e tij trevjeçare.
Autoritetet kanë hapur më shumë se 5.000 shkolla dhe dhjetëra mijëra klasa mësimore në mbarë vendin për të akomoduar pelegrinët që po udhëtojnë drejt kryeqytetit. Udhëheqësi suprem iranian konsiderohet figurë e rëndësishme shpirtërore për komunitetin shiit në botë.
Delegacione nga më shumë se 100 vende morën pjesë gjithashtu në ceremonitë e rezervuara për personalitetet e huaja të premten, duke nënvizuar rëndësinë rajonale dhe ndërkombëtare të tranzicionit politik në Teheran.
Programi i ceremonive mortore do të zgjasë gjashtë ditë, me aktivitete në Teheran deri të hënën, për të vazhduar më pas në qytetin e shenjtë të Qomit, në Irak dhe për të përfunduar në qytetin verilindor Mashhad, ku do të bëhet varrimi.
Analistët thonë se koha e organizimit – gjatë 10 ditëve të para të muajit mysliman Muharrem dhe në përkim me Ditën e Pavarësisë së SHBA-së – mbart simbolikë të fortë, duke e paraqitur vdekjen e Khameneit brenda narrativës shiite të martirizimit dhe duke sinjalizuar vazhdimësi në qëndrimin rajonal të Iranit edhe pas marrjes së plotë të autoritetit nga pasardhësi dhe djali i tij, Ajatollah Mojtaba Khamenei.

