Vjet, 30.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut për herë të parë kanë marrë leje për qëndrim në vendet anëtare të BE-së. Kjo paraqet rritje krahasuar me vitin 2022, kur 29.591 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë leje të tillë. Aktivistja rinore Liridona Kuçi nga Tetova ikjen e të rinjve e sheh si fenomen tejet shqetësues, sepse vendi ynë po humbë shumë kapacitete në veprimtari të ndryshme
Zenel MIFTARI
Shkup, 22 shtator – Ikja e të rinjve po vazhdon. Shkollat po zbrazen dhe të rinjtë po lëshojnë edhe punët e tyre për të gjetur një jetë më të mirë jashtë vendit. Përkundër faktit që alarmi për këtë fenomen është shprehur disa herë, ky fenomen po vazhdon me një intensitet edhe më të lartë sesa më parë. Sipas të dhënave më të reja të EUROSTAT-it, më shumë se 30.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut për herë të parë kanë marrë leje për qëndrim në vendet anëtare të BE-së në vitin 2023. Kjo paraqet rritje krahasuar me 2022 kur 29.591 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë leje të tillë. Kjo nënkupton që këta qytetarë që po vendosen në vendet e BE-së po bëhen urë lidhëse me qytetarët e vendit për t’i tërhequr sa më parë e sa më shpejt. Papunësia e të rinjve mbetet problem për të cilin Maqedonia e Veriut duhet të punojë shumë në këtë drejtim. Kjo është konstatuar në Raportin e fundit për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian.
Sipas të dhënave më të reja të EUROSTAT-it, 30.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut për herë të parë kanë marrë leje për qëndrim në vendet anëtare të BE-së në vitin 2023. Kjo paraqet rritje krahasuar me 2022 kur 29.591 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë leje të tillë.
“Nga numri i përgjithshëm, 13.730 persona kanë marrë leje për arsye familjare, 1.028 për arsim dhe 2.535 për shkaqe të tjera”, thotë raporti i EUROSTAT-it. Të dhënat tregojnë se konsiderueshëm është rritur interesi për qëndrim në BE nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Por vlen të theksohet se më të prekurit nga ikja e të rinjve janë vendbanimet shqiptare. Një numër i konsiderueshëm i familjeve nga fshatrat e Kumanovës planifikojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit, gjë e cila po ndikon dukshëm në zbrazjen e bankave shkollore. Situata e ngjashme është edhe në fshatrat e Shkupit, Tetovës dhe Kërçovës.
Aktivistët rinorë nga vendi theksojnë se institucionet shtetërore nuk kanë vëmendjen e duhur te të rinjtë dhe se të rinjtë nuk përkrahen në masën e duhur. Kjo është një nga shkaqet kryesore që ata të lëshojnë vendin.
Aktivistja Liridona Kuçi, ish-zëvendës drejtore e “LDA Ballkan”, Dega në Maqedoni, ikjen e të rinjve e sheh si fenomen tejet shqetësues, sepse vendi ynë po humbë shumë kapacitete në veprimtari të ndryshme. Ajo shtoi se përderisa ata gjejnë vetën diku jashtë dhe dikush tjetër i vlerëson nga ana financiare, i mbështet moralisht për ngritje profesionale, bëjnë shumë mirë ta shohin interesin individual. “Jam e bindur që si vend jemi në rrugë të keqe në këtë aspekt, po largohen zanatçinjtë e rinj, mekanikët, rrobaqepësit, saldatorët, etj.. Profesione që deri më sot nuk kanë marrë vlerësimin e duhur. Megjithatë, kjo lëvizje e masës së madhe të të rinjve sjell edhe disa sfida dhe pasojat që nuk mund të injorohen. Një ndër sfidat kryesore është humbja e kapaciteteve njerëzore në vendin tonë, pasi të rinjtë e aftë dhe të kualifikuar po gjejnë prosperitet jashtë vendit. Kjo lë pamundësi për zhvillim të brendshëm dhe sjell në thelb një përkeqësim të krahasuar të situatës ekonomike dhe politike”, ka deklaruar Kuçi.
Ajo në fund shtoi se shteti duhet të fokusohet në përkrahjen e të rinjve dhe zbutjen e papunësisë në këtë drejtim dhe luftimin ndaj migracionit ta bëjë me seriozitet të madh.
Albanologia Donika Bakiu, për gazetën KOHA, tha se vit pas viti, fenomeni i ikjes së të rinjve po merr përmasa alarmante dhe po përfshin segmente të shoqërisë me arsim kemi nga profesorë e deri në mjek. “Për vendin tonë kjo do të jetë me pasoja fatale sepse boshatiset vendi. Emigrimi potencial nga vendi ynë po merr gjithnjë e më shumë tiparet e një “Brain-Drain”, pasojat negative të të cilit do të jenë të mëdha. Ikja e të rinjve po kthehet në një shqetësim serioz, për shoqërinë”, ka shtuar ajo. Ndryshe, rezultatet e regjistrimit tregojnë një tendencë shumë të qartë të migrimit të të rinjve gjatë 20 viteve të fundit. Nga viti 2002 deri në vitin 2021, numri i përgjithshëm i të rinjve të moshës 15 deri në 29 vjeç është ulur me 150 mijë qytetarë. Një trend i tillë tregon se popullsia e vendit po plaket. Shqetësuese është edhe tendenca e njohur e largimit të të rinjve (ikja e trurit). Sipas regjistrimit të vitit 2021, rreth 100.000 qytetarë, të cilët në vitin 2002 ishin të moshës 15 deri në 29 vjeç, nuk jetojnë më në vend. (koha.mk)