Qeveria po shqyrton mundësinë e vendosjes së taksave shtesë për personat që nuk janë të martuar, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski gjatë fjalimit të tij në ngjarjen “Trendet demografike, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme” në Shkup, pa dhënë detaje shtesë.
“Çdo masë, çdo investim, çdo politikë që e marrim – ka për qëllim kthimin e besimit. Dhe këtu po mendojmë seriozisht për vendosjen e taksave shtesë për beqarët”, tha Mickoski duke folur për recesionin demografik në vend, që e quajti alarmant.
“Ky problem nga qeveritë e mëparshme është lënë pas dore dhe nuk është parë si kërcënim serioz. Faktet janë të qarta: Në vitin 2024 janë lindur 16.061 fëmijë, ndërsa kanë vdekur 20.201 persona. Kjo është një rënie natyrore prej 4.140 banorësh vetëm për një vit. Në katër vitet e fundit kemi humbur mbi 33.000 banorë – sikur të kishte zhdukur një qytet si Kavadarci apo Kërçova. Norma e lindshmërisë ka rënë nga 12.5‰ në vitin 2010 në vetëm 8.8‰ në vitin 2024. Në shumë komuna dhe fshatra nuk ka më as klasë të parë. Gjithnjë e më shumë njerëz jetojnë vetëm. Martesat po bëhen gjithnjë e më të rralla, lindjet gjithashtu. Këto nuk janë vetëm shifra. Kjo është një heshtje që përhapet. Dhe kur thoshim se ‘po i rrëzonin themelet’, nuk e kishim fjalën vetëm për korrupsionin, projektet e bllokuara, institucionet jofunksionale nga qeveria e kaluar. E kishim fjalën edhe për këtë – për rrënimin e familjes. Për humbjen e së ardhmes. Për emigrimin si opsion i vetëm”, tha Mickoski dhe shtoi: “Është koha për një shtet – ku do të lindin më shumë fëmijë, kjo është imperativi ynë kryesor, më shumë të rinj të martohen, të lindin më shumë fëmijë, dhe ata që janë larguar të kthehen. Sepse vetëm kështu do të jetohet me më shumë zemër.”
Në vendet e zhvilluara, në mënyrë jozyrtare ekziston i ashtuquajturi “taksë për beqarët”, por nuk bëhet fjalë për një taksë zyrtare që i paguhet dikujt konkretisht. Thjesht, ajo i referohet kostove më të larta me të cilat përballen personat beqarë në krahasim me çiftet apo familjet.