Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se funksionet publike nuk duhet të shihen si privilegj apo e drejtë e fituar, por si përgjegjësi që duhet të arsyetohet çdo ditë, gjatë fjalimit të tij në seancën e 112-të të Kuvendit, ku po shqyrtohen shkarkimet dhe emërimet e reja në Qeveri.
Mickoski theksoi se ministrat e propozuar për shkarkim janë njerëz me integritet, të cilët, sipas tij, kanë dhënë kontribut në realizimin e programit qeveritar.
“Funksioni nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë qëllim në vetvete, por mjet për t’i shërbyer popullit. Sot nuk po ndahemi nga njerëz që nuk kanë punuar, përkundrazi, po ndahemi nga njerëz që në resorët e tyre kanë dhënë kontribut në realizimin e programit për të cilin qytetarët na besuan mandatin”, tha Mickoski.
Ai rikujtoi se që në fillim të mandatit kishte paralajmëruar se Qeveria do të bazohej në rezultate dhe jo në komoditet.
“Nga dita e parë kam thënë se kjo nuk do të jetë një qeveri e komoditetit, por një qeveri e rezultateve. Funksionet nuk do të konsiderohen si e drejtë e fituar, por si obligim që duhet të meritohet çdo ditë. Sot tregojmë se ky parim vlen njësoj për të gjithë”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, rikonsturmimi i Qeverisë nuk duhet të shihet si fundi i punës së dikujt, por si pjesë e përkushtimit për të ofruar rezultate konkrete, duke shtuar se qytetarët meritojnë të shohin dallimin mes politikës së arsyetimeve dhe politikës së rezultateve.
Mickoski: Qeveria nuk është vend për rehati, por për rezultate

Ndani këtë artikull
