Pas 1 majit pritet që kryeministri Hristijan Mickoski t’i kërkojë Arben Taravarit që të largohet nga qeveria, mëson TV21. Kjo lëvizje pritet të ndodhë për shkak të deklaratave të Taravarit, i cili pas mosmarrëveshjeve në VLEN, tha se është i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike. Si rrjedhojë, burime të TV21 thonë se VMRO-DPMNE-ja nuk dëshiron të lidhet me BDI-në e Ali Ahmetit, qoftë edhe përmes ndonjë bashkëpunimi të partnerit të koalicionit si ASH-ja e Taravarit.
Nga ana tjetër, edhe koalicioni VLEN tashmë ka njoftuar se do të kërkojë nga Mickoski që ta largojë Taravarin nga Qeveria.
“Sigurisht që tash në koordinim me pjesën tjetër të qeverisë, me partnerët e qeverisë, do të sjellim vendimin e fatit do të kisha thënë, të qeverisë dhe koalicionit qeveritar, por edhe njëherë po e përsëris që çdokush që bashkëpunon me BDI-në dhe Ali Ahmetin, të cilin ne e kemi akuzuar dhe vazhdojmë ta akuzojmë për korrupsion, për krim dhe keqpërdorim 20-vjeçar të pozitave publike, nuk është e mundur të jetë pjesë e qeverisë, por përsëri them, është një vendim formal që duhet ta biem si partnerë të koalicionit qeveritar”, tha Bilall Kasami nga VLEN.
“Vendimi im është ai nuk e ka vendin e tij në këtë qeveri për shkak se i shkel politikat dhe parimet e formimit të kësaj qeverie. Do të ishte një akt morali që ai vetë, meqë dëshiron një bashkëpunim të tillë, ta publikojë këtë dhe të kalojë me BDI, e jo ta fshehë këtë para anëtarësisë dhe opinionit”, tha Izet Mexhiti nga VLEN.