Mickoski paralajmëron dorëheqje, nëse…?!

3 Min. Leximi

Mickoski: Nëse qytetarët më ndëshkojnë në zgjedhje, jap dorëheqje!

Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se përgjegjësinë politike për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan do t’ia lërë në dorë qytetarëve. Ai paralajmëroi se nëse ndëshkohet me votë në zgjedhjet lokale që priten pas disa muajsh, do të japë dorëheqje.

- Advertisement -

“Përgjegjësia do të shihet për tre apo katër muaj, në zgjedhjet lokale. Ajo që mendon LSDM-ja është një gjë, por ajo që mendojnë qytetarët do të shihet shumë shpejt. Nëse qytetarët mendojnë se duhet të largohem dhe të mbaj përgjegjësi politike, atëherë nuk do të pres – do ta bëj atë menjëherë. Por e di që qytetarët nuk ndajnë mendimin e njëjtë me LSDM-në”, deklaroi Mickoski.

Opozita akuzon qeverinë për ndërhyrje në hetime

Partia opozitare LSDM e ka akuzuar qeverinë dhe institucionet për komprometim të hetimeve dhe shkatërrim të provave kyçe për të mbrojtur funksionarët e pushtetit. Ata fajësojnë drejtpërdrejt kryeministrin Mickoski, ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.

“Mickoski ka manipuluar me tragjedinë, ka gënjyer prindërit dhe opinionin publik, ndërsa fajtorët e vërtetë nga radhët e qeverisë janë mbrojtur. Pa përgjegjësi për Janev, Toshkovski dhe Mickoski – nuk ka drejtësi për Koçanin. Pa drejtësi nuk ka as qetësi për prindërit, qytetarët dhe shtetin”, deklaruan nga LSDM.

- Advertisement -

Edhe BDI reagon: Prokuroria është kthyer në instrument politik

Nga BDI gjithashtu kanë reaguar duke akuzuar për drejtësi selektive, pasi Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-ministrave shqiptarë të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini. Sipas kësaj partie, prokuroria ka humbur pavarësinë dhe është kthyer në mjet për përndjekje politike dhe ndikim në zgjedhje.

“Kjo drejtësi selektive është dëshmi se prokuroria ka humbur çdo kredibilitet duke u vënë në funksion të inxhinierisë politike. Objektivi është i qartë: të ndikohet në zgjedhjet lokale përmes sulmeve ndaj figurave të zëshme shqiptare dhe heshtjes së mediave kritike”, thuhet në reagimin e BDI-së.

34 persona nën akuzë për tragjedinë në diskotekën “Puls”

Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike ka ngritur aktakuzë ndaj 34 personave fizikë dhe tre juridikë në lidhje me tragjedinë në diskotekën “Puls”, që tronditi opinionin publik. Ndër të akuzuarit janë ish-ministra, ish-kryetarë komunash, pronarë të objektit dhe të kompanive ndërtimore, si dhe zyrtarë shtetërorë.

Megjithatë, procedura është ndërprerë për dy ish-ministrat Driton Kuçi dhe Bekim Neziri, ndërsa Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini janë përfshirë në listën e të akuzuarve. (INA)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull