Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi sot se është gjetur një zgjidhje për pagesën e rrogave të prapambetura për të punësuarit në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, të cilët nuk kanë marrë pagë për pesë muaj.
“Sot, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Izet Mexhiti, realizuam një takim me drejtorin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, dhe një pjesë të të punësuarve,” shkroi Mickoski në një postim në Facebook. Ai tha se qëllimi i takimit ishte gjetja e një zgjidhjeje për situatën e rëndë financiare të të punësuarve.
Si pjesë e zgjidhjes, kryeministri bëri të ditur se “Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve do të jetë nën kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë,” duke theksuar përkushtimin e Qeverisë për “funksionalitet institucional dhe pagesë të drejtë.”
Sipas Mickoskit, pritet që Kuvendi të miratojë ndryshimet ligjore që do të mundësojnë pagesën e rrogave. “Pas harmonizimit të Ligjit për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve me Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, do t’u mundësohet të punësuarve të marrin pagë,” theksoi ai.
Duke iu referuar rëndësisë së bashkëpunimit ndërpartiak, Mickoski apeloi për përgjegjësi politike: “Meqenëse kjo është një çështje që lidhet me Badenterin, presim që të gjitha partitë politike në Kuvend të veprojnë në mënyrë racionale dhe konstruktive, pa bllokada dhe pa përpjekje për keqpërdorim politik.”
Në fund, kryeministri paralajmëroi se do të formohet një grup pune për “riorganizimin përfundimtar të Inspektoratit dhe kompetencave të tij.”