Mickoski: Kemi çmimet më të lira të naftës, vendet fqinje vërshuan tek ne

2 Min. Leximi

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHhT) është në terren pas ankesave të qytetarëve se në disa pika karburanti ka kufizime gjatë furnizimit me dizel, por theksoi se furnizimi me naftë dhe derivate të naftës në vend është stabil.

Ai bëri të ditur se këto dukuri janë vërejtur kryesisht në komunat kufitare, ku ka presion të shtuar për shkak të çmimeve dukshëm më të larta të karburanteve në shtetet fqinje.

“Inspektorati Shtetëror i Tregut është në terren. Janë vërejtur sjellje të tilla në disa pompa në komunat kufitare sepse ka një presion të madh nga shtetet fqinje, ku çmimi i energjentëve është për mbi 40 deri në 50 për qind më i lartë se tek ne. Në Serbinë fqinje, çmimi është midis 120 dhe 130 denarë për litër, ndërsa tek ne dizeli është 71 denarë. Si rezultat i këtij presioni, kemi një rritje kolosale të konsumit të naftës dhe derivateve, dhe mbase për këtë arsye në pika të caktuara karburanti ka mungesë të sasive,” tha Mickoski.

Ai shtoi se sipas informacioneve që ka marrë nga Inspektorati, në mbarë territorin e shtetit qytetarët dhe bizneset po furnizohen pa ndërprerje.

Rezervat shtetërore janë të mjaftueshme
Mickoski nënvizoi se rezervat shtetërore janë të mjaftueshme për një periudhë të gjatë dhe se gjendja energjetike në vend është stabile.

“Rezervat shtetërore mund të mbulojnë konsumin e plotë për më shumë se 62 ditë, furnizimi do të thosha se është më se i shkëlqyer. Kur filluam të ristartojmë naftësjellësin me fqinjin tonë jugor (Greqinë), shumëkujt i dukej e çuditshme dhe e pamundur, por u kaluan të gjitha testet dhe mund ta shfrytëzojmë edhe atë kapital. Mund ta vëmë në dispozicion edhe të fqinjëve. Maqedonia në këtë moment ka gjendje stabile energjetike, është faktor stabiliteti në rajon dhe qytetarët paguajnë çmimin më të lirë për naftën dhe derivatet,” shtoi Mickoski.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull