Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka uruar klubin e futbollit Bashkimi nga Kumanova për rikthimin e tij në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, pas një mungese prej 16 vitesh.
Në një status të publikuar pas fitores ndaj Besës nga Dobërdolli në ndeshjen vendimtare të play off-it, Mexhiti e cilësoi këtë arritje si një triumf të krenarisë dhe pasionit sportiv.
“Urime Kumanovë! Urime Bashkimi! Pas 16 vitesh pritje, klubi legjendar Bashkimi i Kumanovës i rikthehet elitës së futbollit maqedonas! Një emër me histori, me traditë dhe me zemër shqiptare. Klubi i parë shqiptar që ka ngritur lart Kupën e Maqedonisë së Veriut, sot kthehet aty ku e ka vendin, në Ligën e Parë!”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka përshëndetur gjithashtu edhe tifozët e zjarrtë të klubit, “Ilirët”, për besnikërinë dhe mbështetjen e palëkundur gjatë gjithë këtyre viteve.
“Mirësevjen sërish Bashkim! Elita ka më shumë kuptim me ty!”, përmbylli ai.