Kryetari i Çairit dhe njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti në Konventën promovuese të kandidatit të Vrapçishtit, Zulhajrat Demiri, ka thënë
se pas shumë analizave dhe anketimeve, VLEN vendosi të përkrah kandidaturën e pavarur të Zuli Demirit, sepse siç thekson, “është më i duhuri dhe më i miri”.

“Jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore, por ne kemi dëshirë që ta mbështesim Zulin si kryetar i ardhshëm që Vrapçishti të përfitojë nga kjo qeveri që përkrah komunat me projekte milionëshe dhe mendoj se Zuli me ekipin e tij do të përgatisë projektet më të mira, ndërsa Bekim Sali si zv/kryeministër i parë si edhe tjerët, do jenë në shërbim të kryetarit të ardhshëm të Vrapçishtit”, ka thënë Mexhiti.
Duke e parë këtë entuziazëm të rinisë së Vrapçishtit dhe përkrahjes së diasporës, shton Mexhiti, “pamë se çka bëri diaspora kur vjen ajo në Republikën e Kosovës dhe i mundësoi fitore plebishitare Albin Kurtit dhe VV-së”.
“Diaspora do ta vulos fitoren edhe në Vrapçishtin tonë dhe prej janarit e andej, Vrapçishti do ketë një nga kryetarët më të suksesshëm me përkrahjen tonë”, Mexhiti.
Për fund ai bëri apel që të shkohet derë më derë dhe të kërkohet vota për Demirin, për fitore të reja, për projekte të reja dhe suksese të reja.


