Pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, përmes një postimi në rrjetet sociale është prononcuar lideri i VLEN-it, Izet Mexhiti. Ai ka deklaruar se koalicioni VLEN është fitues absolut i këtyre zgjedhjeve, duke e cilësuar rezultatin si fitore të shqiptarëve dhe të ndryshimit politik në vend.
“Shqiptarë, urime fitorja! Sot fituan shqiptarët, fituan qytetarët që besuan në ndryshim. VLEN është fituesi i madh i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut — kjo fitore legjitimon me votën e sovranit vullnetin tonë për rotacion politik dhe për një të ardhme më të mirë.
Nga nesër, kryetarët e zgjedhur do të nisin punën me përgjegjësi dhe përkushtim. Ne jemi të vendosur të punojmë çdo ditë për zhvillimin e vendbanimeve tona dhe për mirëqenien e çdo qytetari.
Sonte fillon një erë e re politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Vota juaj na nderoi, por edhe na obligon që të mos ndalemi me punë,” ka shkruar Mexhiti.

