Mexhiti pret në kufi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti: Mirë se erdhe, vëlla!
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka pritur sot në kufi Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili do të marrë pjesë nesër në Takimin e Lidershipit BE–Ballkani Perëndimor, kushtuar Planit të Rritjes.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Mexhiti tha se Kurtin e mirëpriti si mik, si vëlla dhe si udhëheqës të një shteti që gjithmonë ka qëndruar pranë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Kjo pritje ishte një shenjë respekti dhe vlerësimi për lidhjet që na bashkojnë, për qasjen e përbashkët që kemi ndaj sfidave të rajonit dhe për besimin që ndajmë në të ardhmen tonë evropiane”, shkruan Mexhiti.
Ai shton se me Kurtin zhvilluan një bisedë të shkurtër, por të sinqertë, për mundësitë e bashkëpunimit, për qytetarët e të dyja vendeve, dhe për rrugën e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.
“Dhe është mirë kur në këtë rrugë kemi pranë njëri-tjetrin. Mirë se erdhe, Albin!” – përfundon Mexhiti.