Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të BDI-së për manipulim me të dhënat e regjistrimit të popullsisë së vitit 2021.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Mexhiti ka zbuluar se në fshatin Gërçec të Komunës së Sarajit një ndër fshatrat më të mëdha të zonës janë regjistruar vetëm 36 banorë, pa asnjë jorezident. Sipas tij, ky rezultat absurd është pasojë e drejtpërdrejtë e mënyrës se si është menaxhuar procesi nga kuadrot e LSDM-së dhe BDI-së.
“Vëllezër e motra, a e dini se në regjistrimin e fundit të popullsisë në RMV në vitin 2021, i organizuar nga Enti për statistikë, proces i kryesuar nga kuadro të LSDM e BDI, në fshatin e pestë më të madh të Komunës Saraj, në Gërçec, patriotat e BDI kanë regjistruar vetëm 36 banorë, me 0 jorezident! Po, 36 banorë, sa një klasë e shkollës fillore”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka paralajmëruar se ky është vetëm fillimi dhe se në ditët në vijim do të publikojë informacione të tjera që i cilëson si “të tmerrshme”, duke lënë të kuptohet se procesi i regjistrimit është dëmtuar qëllimisht dhe me pasoja serioze për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në vend.