Mexhiti: Një vit pune e përkushtuar për një mjedis të pastër

3 Min. Leximi
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sot prezantoi raportin vjetor për punën e saj, me fokus në reforma sistematike, rezultate të matshme dhe harmonizim me legjislacionin evropian.
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, z. Izet Mexhiti, në konferencë për media me rastin e njëvjetorit të formimit të Qeverisë, i prezantoi arritjet kryesore të 12 muajve të fundit, të ndara sipas sektorëve:
Infrastruktura: Filloi projekti më i madh infrastrukturor për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve në 80 komuna, me mbështetje prej 50 milionë euro nga Banka Evropiane për Investime.
Ujërat e ndotura: Ndërtimi i stacioneve për pastrimin e ujërave të ndotura në Shkup dhe Manastir, si dhe përgatitje për sisteme të reja në Tetovë, Shtip, Veles, Vinicë dhe Koçan.
Ajër i pastër: U miratua Plani për Ajër të Pastër 2024–2030 me përkrahje prej 10 milionë euro nga BE; janë siguruar 6 autobusë ekologjikë dhe janë zëvendësuar sistemet e vjetra të ngrohjes në katër qytete.
Monitorim dhe kontroll: Janë përforcuar sistemet për monitorimin e cilësisë së ajrit, janë vendosur kontrolle më të rrepta ndaj kapaciteteve industriale dhe është përmirësuar inspektorati mjedisor.
Mbetjet: Me 55 milionë euro nga BERZH po ndërtohen qendra rajonale për menaxhimin e mbetjeve, të shoqëruara me një Strategji Kombëtare të re për Mbetjet (2024–2036).
Biodiversiteti: Është rritur territori i mbrojtur nga 11.5% në 13.9%; është shpallur Parku Kombëtar i Malit Sharr, janë përgatitur dokumentet për shpalljen e Jabllanicës dhe është realizuar rivlerësimi i Parkut të Mavrovës.
Mbështetje financiare për të gjitha komunat: Janë ndarë dërgesa kapitale për projekte mjedisore bazuar në kritere transparente, pa ndikime politike.
Partneritete ndërkombëtare: Projekte në kuadër të SIDA, BERZH, LIFE dhe IPA të BE-së, si dhe mbështetje për mbrojtjen e ujërave nëntokësore nga Zvicra (4.6 milionë CHF).
Sipërfaqe të gjelbra: Janë mbjellë mbi 6.000 pemë në zona urbane; janë nënshkruar marrëveshje me komuna për projekte me vlerë prej 628 milionë denarë.
Fokus te e ardhmja: Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, deklaroi z. Mexhiti, mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi funksional, të drejtë dhe të qëndrueshëm për mbrojtjen e mjedisit.
“Kjo strategji do të matet përmes cilësisë së ajrit që thithim, ujit që përdorim, natyrës që ruajmë dhe mirëqenies që garantojmë për brezat që vijnë”, tha Mexhiti.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull