Shkup, 5 gusht – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ka njoftuar nisjen e një projekti madhor për restaurimin dhe konzervimin e kalldrëmeve në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, me një investim prej 29 milionë denarësh.
Mexhiti theksoi se Çarshia e Vjetër është “zemra pulsuese” e qytetit dhe baza mbi të cilën është ndërtuar jeta qytetare e Shkupit, ku ndër shekuj janë zhvilluar tregtia, mjeshtëria dhe bashkëjetesa mes komuniteteve.
Projekti përfshin:
Rikonstruksion të plotë të kalldrëmeve;
Vendosje të kabllove nëntokësore;
Ndërrim të gypave të dëmtuar në rrugët Samarxhiska, Kovaçka, Petar Mihov dhe Saraçka.
Punimet do të zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e zejtarëve. Gjatë takimit me përfaqësuesit e ESNAF-it, Mexhiti garantoi se dinamika e punës së tyre dhe aktiviteti i përditshëm i Çarshisë do të respektohen, ndërsa komunikimi i rregullt dhe konsultimet me komunitetin do të jenë pjesë e pandashme e zbatimit.
“Ky projekt është vazhdimësi e përkushtimit tonë për të mbrojtur një hapësirë me vlera të rralla kulturore, historike dhe tregtare, që përbën identitetin e Shkupit”, deklaroi Mexhiti.