Kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka vizituar sot nga afër punimet që po zhvillohen për rikonstruksionin e rrugës “Banatska” në lagjen Tophanë. Ai bëri të ditur se pas përfundimit të fazës aktuale, do të fillojë asfaltimi i plotë i rrugës.

Sipas Mexhitit, ky është një projekt me buxhet prej rreth 3 milionë denarësh, i financuar nga Thirrja e dytë e Qeverisë për mbështetje të komunave, dhe synon të sjellë ndryshime të prekshme dhe pozitive në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Rruga do të asfaltrohet plotësisht me bazament të përforcuar, çka do të garantojë qëndrueshmëri afatgjatë dhe do të përmirësojë sistemin e kullimit për të shmangur dëmtimet nga shirat. Përveç kësaj, qarkullimi do të riorganizohet, duke rritur sigurinë dhe komoditetin për të gjithë përdoruesit,” theksoi Mexhiti.

Ai shtoi se për qytetarët kjo nënkupton lëvizje më të lehtë, rrugë më të sigurta dhe infrastrukturë që zgjat. Ky rikonstruksion është pjesë e planit më të gjerë të VLEN-it për përmirësimin e infrastrukturës në gjithë komunën e Çairit, me qëllimin që secili projekt të jetë në shërbim të drejtpërdrejtë të qytetarit.