Mexhiti: Ne shkojmë në Qafë Thanë për One Stop Shop-in, BDI shkonte në Shën Naum për ta takuar Vuçiqin

2 Min. Leximi

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, gjatë vizitës në pikën kufitare të Qafë Thanës, ka deklaruar se Qeveria synon lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë përmes funksionalizimit të sistemit “One Stop Shop”.

Mexhiti bëri të ditur se vizitat në Shën Naum dhe Qafë Thanë kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se kjo nismë do të ketë ndikim pozitiv në ekonomi dhe transport.

“Shkojmë në Shën Naum për ta bërë pikën kufitare hyrje-hyrje dhe jo për ta takuar Vuçiqin”, u shpreh Mexhiti.

Ai gjithashtu kritikoi takimet e mëparshme politike të opozitës në Shën Naum, Beograd dhe vende të tjera me përfaqësues të lartë të Serbisë, duke pretenduar se ato kanë qenë pjesë e agjendave politike për realizimin e projektit të Ballkanit të Hapur.

Sipas Mexhitit, me ardhjen e Qeverisë së re, Ballkani i Hapur tashmë i përket së kaluarës, ndërsa orientimi i vendit është i qartë drejt integrimeve euroatlantike.

“Ballkani i Hapur i takon të kaluarës. Qeveria është e orientuar drejt integrimeve euroatlantike”, theksoi Mexhiti.

Në fund, ai iu referua edhe fushatës së fundit zgjedhore, duke thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ishte më i shqetësuar për rezultatin zgjedhor të BDI-së se sa për zhvillimet e tjera politike në Maqedoninë e Veriut.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull