Mexhiti: Kalkulimet e Taravarit me Ahmetin dolën të gabuara

2 Min. Leximi

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, një nga liderët e Koalicionit VLEN, tha se me largimin e Arben Taravarit nga Qeveria dhe nga Koalicioni VLEN, si ai vetë ashtu edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin Taravari kishte dëshirë të bashkëpunojë, kanë pësuar më shumë dëm sesa përfitim.

Sipas Mexhitit, aktualisht Taravari ka tre deputetë, prej të cilëve dy kanë mbetur në VLEN, ndërsa me tre-katër deputetë të Frontit Evropian janë duke u zhvilluar bisedime që të kalojnë në VLEN.

- Advertisement -

“Matematikat që i bënë Ahmeti dhe Taravari në shtëpi, nuk dolën në treg, dolën ndryshe dhe më keq sesa pozicioni fillestar, si në aspektin e numrit të deputetëve, ashtu edhe të votuesve”, tha Mexhiti në emisionin “Tema e ditës” në televizionin Sitel.

Ai tha se Taravari ka kalkuluar sepse ka dashur ta mbajë Gostivarin dhe të sigurojë mbështetje nga BDI në komuna të tjera.

“Fillimisht ka qenë çështje kalkulimi – pra, mbi të gjitha që të ruhet Gostivari. Mendoj se i kanë bërë të gjitha kalkulimet me Ahmetin, kanë parashikuar gjithçka, përveç faktit se ne do ta përjashtonim Taravarin nga VLEN dhe nga Qeveria. Sepse nuk mund të bashkëpunosh njëkohësisht me BDI-në dhe të jesh pjesë e VLEN-it dhe e Qeverisë”, tha Mexhiti.

Ai theksoi se Taravari shpresonte të mbetej në Qeveri deri në fund, të përfitonte nga pozita, ndërkohë që fshehtas të bashkëpunonte me Ahmetin, i cili do ta mbështeste në 5-6 komuna, ndërsa Taravari do ta mbështeste BDI-në në Çair, Tetovë ose diku tjetër ku do t’i duhej.

- Advertisement -

Lidhur me zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë, Mexhiti theksoi se përgatitjet janë duke vazhduar, se është zgjedhur shefi i shtabit zgjedhor në nivel republikan, dhe se po shqyrtohet se kush do të jenë kandidatët më të mirë nga VLEN. Por, shtoi se mund të mbështesin edhe kandidatë të pavarur, ose kandidatë që nuk janë nga VLEN, nëse vlerësojnë se ata janë më të mirët.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull