Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka publikuar sot në mëngjes një video në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku përshëndet qytetarët me një “Mirëmëngjesi” simbolik, duke prezantuar një sërë projektesh madhore që, sipas tij, po transformojnë Çairin.
Në mesazhin e tij, Mexhiti theksoi se prioriteti kryesor i mandatit të ardhshëm mbetet ndërtimi i një infrastrukture moderne.
“Ne duam rrugë më të mira, duam në këtë mandat ta mbyllim njëherë e përgjithmonë çështjen e infrastrukturës nëntokësore në Çair,” – u shpreh ai.
Projekte konkrete në terren
Mexhiti paraqiti disa nga projektet që tashmë kanë nisur zbatimin, si:
Rregullimi i rrjetit të ujësjellësit në rrugën Bajram Shabani në lagjen Gazi Babë.
Realizimi i rrugës Banatska në zonën Fushë Tophanë.
Të dy këto projekte po zhvillohen me mbështetje nga Qeveria.
Ai gjithashtu paralajmëroi transformimin e plotë të rrugës Ferid Murati dhe pjesërisht të rrugës Llazar Tërpevski, në një gjatësi prej 1 kilometri, duke premtuar një infrastrukturë rrugore moderne që do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin urban.
Investime në arsim dhe mirëqenie sociale
Ndërtimi i dy çerdheve të reja – “Borëbardha” dhe “Vesëza”, me kapacitet prej nga 300 fëmijë secila – është një tjetër projekt i rëndësishëm në agjendën e Mexhitit. Ai theksoi se këto çerdhe do të vendosin standarde të reja për kujdesin ndaj fëmijëve dhe do të ndihmojnë prindërit e Çairit. Fokus në energjinë e gjelbër dhe sportin
Në aspektin e gjelbër dhe energjetik, Mexhiti premtoi mundësi për subvencionim të fasadave për të gjitha ndërtesat që nuk plotësojnë kriteret e efikasitetit energjetik. Qëllimi është të krijohen ndërtesa moderne, me konsum të ulët energjie.