Kërkesës së liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit që së bashku me zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm të mbahen edhe ato parlamentare, i është përgjigjur zëvendëskryeministri i parë i qeverisë, Izet Mexhiti.
Sipas Mexhitit, BDI le të përgatitet për të qenë edhe gjatë kohë në opozitë.
Në vend se të shtirret sikurse është ndonjë faktor i madh në skenën politike, BDI bën mirë që t’i kthehet reformës së brendshme dhe të pastrojë rradhët nga krimi i organizuar e korrupsioni.
“Para se të caktojë megdane, BDI bën mirë që t’i përgjigjet opinionit:
– çfarë oferte përmbajnë SMS porositë të cilat ia kanë dërguar Kryeministrit Mickovski në kohën kur po negociohej qeveria e re?!
– çfarë oferte vendosën në tavolinë në dhomën 161 në Parlament emisarët e Frontit Evropian derisa VLEN dhe VMRO DPMNE negocionin kabinetin e ri qeveritar?!
– a është e vërtetë se vetëm dy ministri dhe as Kryetari i Parlamentit ishte oferta e BDI-së për VMRO-në vetëm që të jenë përsëri në Qeveri?!
Këto janë çështjet për të cilat opinioni pret përgjigje nga BDI. Retorika nxitëse dhe folklori janë skenar tashmë i njohur dhe i lexuar nga të gjithë. Krejt çka ka sjellur ajo retorikë është fuqizimi i ekstremizmit dhe sentimentit etno-nacionalist të shprehur përmes votës. Prandaj jeni qesharakë dhe asgjë më shumë”, ka shkruar Mexhiti.