Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidat për kryetar të Komunës së Çairit nga VLEN, Izet Mexhiti, sot njoftoi se ka filluar një projekt i rëndësishëm për Çairin e Vjetër, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në këtë lagje.
“Me financim të siguruar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes thirrjes së dytë për mbështetje të komunave, do të bëhet rikonstruksioni i rrugëve në një gjatësi totale prej 2 km. Punimet përfshijnë:trotuare të rregulluara, rrugë të sigurta dhe të qëndrueshme, infrastrukturë moderne që plotëson standardet e nevojshme. Vlera e investimit për rikonstruksionin e rrugëve është 30.367.000 denarë. Paralelisht, do të realizohet edhe rikonstruksioni i ndriçimit publik në të gjitha rrugët e përfshira, me një investim prej 7.264.000 denarë, që do të sigurojë më shumë ndriçim, më shumë siguri dhe kushte më të mira për banorët e lagjes”, theksoi Mexhiti.
Ky projekt, tha ai, është vetëm një nga shumë investimet që VLEN po realizon dhe do të vazhdojë t’i realizojë në Çair.
“Qëllimi ynë është i qartë: zgjidhje konkrete, investime të prekshme dhe përmirësim i vazhdueshëm i jetës së qytetarëve”, tha mes tjerash Izet Mexhiti.