Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se negociatat për rikonstruimin e Qeverisë janë në fazën përfundimtare dhe se deri në fundjavë pritet të ketë një pasqyrë të qartë për përbërjen e re qeveritare.
Duke folur në edicionin e lajmeve të TV Sitel, Mexhiti tha se bisedimet mes partnerëve të koalicionit po vazhdojnë dhe se ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar.
“Mendoj se ditët në vijim do të kemi zgjidhje përfundimtare, për shkak se negociatat po vazhdojnë të rrjedhin dhe nuk ka asgjë finale. Kemi zhvilluar disa takime deri më tani dhe po analizohet performanca e të gjithë ministrave dhe zëvendësministrave”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se në kuadër të negociatave po shqyrtohet realizimi i programit qeveritar, prioritetet e institucioneve dhe rezultatet e arritura deri më tani.
“Po bisedojmë për programën, kush ku gjendet, cilat janë prioritetet, çfarë është realizuar dhe çfarë jo. Pra, po hyjmë në fazën finale, ku deri në fundjavë do të kemi një pasqyrë të qartë brenda koalicionit dhe subjekteve politike”, tha Mexhiti.
Sipas tij, ditët në vijim do të jenë vendimtare për finalizimin e negociatave dhe përcaktimin e hapave të ardhshëm në procesin e rikonstruimit të Qeverisë.

