Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, njëkohësisht kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot zhvilloi një takim me tregtarët e Bit Pazarit.
Gjatë bisedës me ta, Mexhiti theksoi se Komuna e Çairit, edhe pse nuk ka zonë industriale dhe biznese të mëdha, shquhet për numrin e madh të bizneseve të vogla dhe të mesme, për Çarshinë e Vjetër dhe për Bit Pazarin, të cilat përbëjnë boshtin ekonomik dhe kulturor të komunës tonë.
Ai nënvizoi se Bit Pazari ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në mirëqenien ekonomike të familjeve të Çairit dhe jo vetëm. Po ashtu, Çarshia e Vjetër, së bashku me Kalanë e Shkupit dhe Bit Pazarin, duhet të funksionojnë si një paketë e plotë turistike për vizitorët vendas dhe të huaj.
Mexhiti u zotua se tregtarët do të mbrohen nga konkurrenca jolojale dhe do të kenë mbështetje institucionale për zhvillimin e tyre.
“Si një djalë i lindur dhe rritur në Çair, e ndjej se Bit Pazari është vlerë dhe krenari për çdo shkupjan. Prandaj, angazhimi im është që edhe institucionalisht ta ndihmojmë dhe ta zhvillojmë këtë pasuri historike, ekonomike dhe kulturore”, theksoi Mexhiti.