Mexhiti: Bashkëpunimi ndërkomunal shqiptar, një platformë zhvillimi rajonal.

2 Min. Leximi

Tetovë, 3 prill – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar për një takim të zgjeruar të përfaqësuesve të komunave shqiptare nga rajoni, të mbajtur në kuadër të Unionit të Bashkive Shqiptare, duke e cilësuar atë si hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët. Në këtë takim, përveç përfaqësuesve nga Çairi dhe Tetova, morën pjesë edhe delegacione nga Prizreni, Tuzi, Gjakova, Gostivari, Bujanoci, Vrapçishti, Vushtrria, Peja dhe Presheva, shkruan gazeta KOHA.

Sipas Mexhitit, ky bashkim i komunave përbën një platformë që synon të thellojë koordinimin ndërkomunal dhe të krijojë mundësi konkrete për zhvillim përtej kufijve shtetërorë.

“Ky takim ishte një hap drejt koordinimit të përbashkët dhe shkëmbimit të përvojave, duke e kthyer bashkëpunimin në veprim të drejtpërdrejtë mes komunave”, theksoi ai. Gjatë diskutimeve, fokusi kryesor ishte tek projektet që pritet të nisin në gjysmën e dytë të vitit 2026, ku u identifikuan mundësitë për sigurimin e fondeve evropiane, forcimin e lidhjeve institucionale dhe rritjen e koordinimit ndërmjet komunave pjesëmarrëse. Po ashtu, u trajtuan iniciativa konkrete në fusha kyçe si zhvillimi ekonomik, turizmi, projektet sociale dhe infrastruktura, të cilat, sipas Mexhitit, ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës së qytetarëve.

Në fjalën e tij, ai theksoi edhe rëndësinë e decentralizimit, duke e cilësuar atë si element thelbësor për zhvillimin lokal. “Komunat duhet të kenë më shumë fuqi, më shumë përgjegjësi dhe më shumë hapësirë për të vepruar, në mënyrë që të ndërtojnë politika efektive dhe të sjellin zhvillim për qytetarët”, deklaroi Mexhiti. Takimi në Tetovë vlerësohet si një tjetër hap drejt institucionalizimit të bashkëpunimit ndërmjet komunave shqiptare në rajon dhe krijimit të një qasjeje të përbashkët për zhvillim ekonomik dhe integrim rajonal.( koha.mk)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull