Kryetari i Komunës së Çairit dhe njëherësh njëri nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN, Izet Mexhiti, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Sindikatës së Punonjësve të Arsimit në RMV, ku në fokus kanë qenë çështjet që lidhen me arsimin dhe mirëqenien e mësimdhënësve në komunë.


Nga Komuna e Çairit bëjnë të ditur se gjatë takimit janë diskutuar nevojat aktuale të institucioneve arsimore, sfidat me të cilat përballen mësimdhënësit, si dhe mundësitë konkrete për mbështetje nga ana e pushtetit lokal.
Mexhiti ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet komunës dhe shkollave të Çairit, me qëllim krijimin e kushteve më të mira për procesin mësimor dhe avancimin e cilësisë së arsimit.
“Si komunë mbetemi të përkushtuar që arsimi të jetë prioritet i vazhdueshëm, përmes mbështetjes institucionale dhe ndërtimit të partneriteteve funksionale, në respekt të rolit dhe dinjitetit të mësimdhënësve”, ka shkruar kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.


