Sot në TS Dubrovë u zhvillua me sukses dorëzimi i transformatorit të ri 400/110 kV. Ky projekt kapital është pjesë e programit më të gjerë për modernizimin, përforcimin dhe zhvillimin e infrastrukturës elektroenergjetike të ShA MEPSO. Pajisja e re do të kontribuojë ndjeshëm në furnizimin më të qëndrueshëm dhe më efikas me energji elektrike për amvisëritë dhe subjektet ekonomike në rajon, duke përmirësuar kushte e tensionit dhe duke rritur besueshmërinë e TS Dubrovë.
Në ditët në vijim do të fillojë procesi i instalimit dhe integrimit të transformatorit në sistem, me ç’rast po i njëjti do të vihet në funksion.
TS Dubrovë është një nyjë kyçe energjetike në sistemin elektroenergjetik të Maqedonisë së Veriut, dhe transformatori i ri do të mundësojë funksionimin e pandërprerë të sistemit për 30-40 vitet e ardhshme. Për më tepër, ky investim do të krijojë kushte më të favorshme për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE).
Transformatori, është prodhuar nga kompania e njohur Astor nga Turqia, në përputhje me standardet më të larta teknike dhe të sigurisë.
Me instalimin e këtij transformatori, si dhe të transformatorit në TS Manastir 2, ShA MEPSO përmbyll me sukses dy projekte strategjike që janë të një rëndësie esenciale për stabilizimin e funksionimit në nivelet 400 kV dhe 110 kV. Këto investime kontribuojnë drejtpërdrejt në minimizimin e rreziqeve nga ndërprerjet dhe defektet, si dhe në rritjen e besueshmërisë së sistemit dhe marrjen e pandërprerë të energjisë elektrike nga konsumatorët.
ShA MEPSO vazhdon me misionin e saj për të investuar në një infrastrukturë energjetike moderne, të besueshme dhe efikase, si parakusht për furnizim cilësor me energji elektrike dhe krijimin e një klime të favorshme për investime të reja dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.