MEPSO aplikon për statusin PECI për “Korridorin interkonektues Lindje-Perëndim 400 kV, Seksioni perëndimor”

2 Min. Leximi

Drejtori i MEPSO, Burim Latifi, ka njoftuar se kompania ka aplikuar për të fituar statusin PECI (Projekt me interes për Komunitetin Energjetik) për projektin strategjik “Korridori interkonektues Lindje-Perëndim 400 kV, Seksioni perëndimor”, një ndër investimet më të rëndësishme infrastrukturore në sektorin elektroenergjetik me dimension të theksuar rajonal.

Projekti parasheh ndërtimin e një linje të re largpërçuese 400 kV nga Tetova deri në Prizren, duke krijuar një lidhje të re direkte elektroenergjetike ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe sistemit të Republikës së Kosovës. Korridori Shkup – Tetovë – Ohër, me dalje ndërkufitare drejt Prizrenit, do të forcojë ndjeshëm rrjetin e transmetimit në pjesën perëndimore të vendit, ndërsa gjatësia totale e seksionit perëndimor arrin rreth 255 kilometra.

Element kyç i projektit është ndërtimi i një trafostacioni të ri 400/110 kV në Tetovë, si dhe opsioni për ndërtimin e një trafostacioni të ri 400/110 kV në Osllomej. Këto investime do të mundësojnë integrim më efikas të kapaciteteve ekzistuese dhe të planifikuara të prodhimit, përfshirë burimet e ripërtëritshme të energjisë, si dhe fleksibilitet më të lartë operacional të sistemit elektroenergjetik.

Projekti është komplementar me projektin tashmë të aprovuar PECI për përmirësimin e korridorit Kosovë – Shqipëri (Prizren – Fierzë) në nivel 400 kV, duke e shndërruar këtë aks në një bosht të rëndësishëm energjetik rajonal.

Sipas Latifit, marrja e statusit PECI do të përbënte njohje zyrtare të rëndësisë strategjike të projektit dhe do të mundësonte koordinim më të mirë institucional ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, përgatitje dhe realizim më të përshpejtuar, si dhe qasje më të lehtë në instrumente financiare ndërkombëtare, asistencë teknike dhe mbështetje nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Realizimi i këtij projekti pritet të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të sistemit elektroenergjetik, integrim më të thelluar të tregut rajonal të energjisë, ulje të kufizimeve të rrjetit dhe krijim të kushteve për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit energjetik në vend dhe në rajon.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull