Fisnik Mela, kandidat i Koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Dibrës, mori pjesë në Debat përnime te gazetarja Jeta Xharra, së bashku me kundërkandidatin e tij nga radhët e AKI, Ilirijan Fetahu.

Mela garantoi se brenda mandatit katërvjeçar, problemi i ujit të pijshëm në qytetin e Dibrës do të marrë zgjidhje të plotë.
“Garantoj se brenda katër viteve, ky problem do të zgjidhet me mbështetjen e fuqishme të pushtetit qendror, konkretisht nga Ministria e Ekologjisë. Fillimisht do të nisemi me një projekt fizibiliteti dhe hartëzim të detajuar, në bashkëpunim me ekspertët e fushës, për të ndjekur më pas zgjidhjen sistematike në disa faza. Ashtu siç e përmendi edhe Ilirijani, për fat të keq, rreth 80% e ujit humbet ose nuk faturohet. Dibra ka pasur kapacitet ujësjellësi për 25.000 banorë, që nga koha kur është ndërtuar sistemi, ndërkohë që sot ka rreth 10.000 banorë dhe ende përballet me mungesë të ujit të pijshëm gjatë sezonit të verës”, deklaroi Mela.
