Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, dhe ish-ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, janë mirëpritur sot në Ambasadën e ShBA-së në Shkup, në një takim që vjen menjëherë pas vendimit të tyre për të vazhduar mbështetjen ndaj qeverisë së re të udhëhequr nga koalicioni VLEN. Ky pozicion shënon një ndarje të qartë nga lideri i tyre politik, Arben Taravari, i cili zgjodhi të braktisë VLEN-in dhe të afrohet me BDI-në.
“Kafen e mëngjesit e pimë në konakun më të rëndësishëm për shqiptarët në vendin tonë – Ambasadën e SHBA-së – ku na mirëpriti zëvendës-shefja e misionit, Nicole Varnes. Me miken tonë, biseduam për partneritetin tonë të vazhduar në luftën kundër korrupsionit, promovimin e shtetit të së drejtës dhe mbështetjen në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Arben Fetai në rrjetet sociale.

Vizita dhe mbështetja nga përfaqësuesit amerikanë vlerësohet si një konfirmim i kursit të ri të Fetait dhe Aliut, të cilët po qëndrojnë në linjë me angazhimet euroatlantike dhe vlerat demokratike të promovuara nga VLEN, në kontrast me lëvizjen e Taravarit drejt strukturave të vjetra politike.