Këshilli Preventiv i Komunës së Dibrës, ka organizuar një takim me pjesëmarrje të të gjithë faktorëve në komunë me qëllim që të ndërmerren masa urgjente për të patur një siguri më të madhe publike si në qytet ashtu edhe në fshatra. Ishte ky një takim shumë domethënës me që drejtpërdrejt u kërkua nga kompetentët të merren masa për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e vjedhjeve dhe kërcënimeve të ndryshme prezent në territorin e komunës.
Në takimin me të cilin udhëhoqi kryetari i Komunës, Hekuran Duka, i cili edhe udhëheq këtë Këshill Preventiv dhe me pjesëmarrje të përfaqësuesve të Organit për punë të brendshme në Dibër, pastaj Njësisë territoriale kundër zjarrit, Njësisë për mbrojtje dhe shpëtim dhe organeve të tjera, u diskutuan çështje me rëndësi për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Në vend të parë ishte rritja e sigurisë publike dhe parandalimi i vjedhjeve dhe kërcënimeve të ndryshme të cilët janë shfaqur kohëve të fundit, pastaj menaxhimi i mbeturinave dhe organizimi i pastrimit të qytetit nga ndërmarrja komunale, parandalimi i zjarreve dhe kontrolli i hapësirave të hapura dhe të mbyllura, respektimi i kushteve të funksionimit dhe orarit të punës nga subjektet gastronomike dhe rregullimi i qarkullimit dhe parkimit të automjeteve në zonat urbane me që shpeshherë, sidomos gjatë verës, nuk ka vende për parkimin e automjeteve.
Duke dhënë sqarime për situatën aktuale, u kërkua që organet kompetente të zbatojnë ligjin dhe një vëmendje të madhe ti kushtojnë implementimit në një afat sa më optimal, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe sigurisë në qytet. Në këtë takim pune të Këshillit Preventiv, i cili ishte i pesti me radhë pas themelimit të tij, me shumë seriozitet ju kushtua problemit të sigurisë publike me që ka patur raste ku kishte kërcënime si në qytet ashtu edhe në vendbanimet rurale, pastaj ka raste të reja të vjedhjeve, problem me sigurinë në komunikacion për çka përfaqësuesit të Organit të punëve të brendshme dhanë informatat e duhura. Policia shpesh ka ndërmarrë aktivitete ligjore, si në sferën e komunikacionit ashtu edhe ne sferën e prishjes të rendit publik.
Një problem tjetër me të cilin ballafaqohen qytetarët është respektimi i përcaktimit të parkingjeve, pastaj mirëmbajtja e higjienës publike si dhe puna e restoranteve dhe kafiterive. Veçmas është vendosur që të tejkalohen të gjitha mangësitë dhe problemet në prag të sezonit veror kur në Dibër dhe në fshatrat arrijnë një numër shumë i madh i mërgimtarëve dhe praktikisht dyfishohet numri i banorëve.
Këshilli Preventiv ka kërkuar që organet kompetente të respektojnë ligjin në të gjitha sferat, me qëllim të pengohen kërcënimet, vjedhjet, si dhe mosrespektimi i rregullave në komunikacion. /Koha/