Mbi 53 mijë fletëvotime të pavlefshme

2 Min. Leximi

Vendosja e një X të madh, shkarravitja, ose shkruarja e mesazheve revoltuese nga votuesit, vazhdon të jetë formë e shprehjes së vullnetit politik. Numri i votave të pavlefshme rritet nga njëri proces zgjedhor në tjetrin. Vetëm në fletëvotimet e të parëve të komunave, 53 724 janë të pavlefshme, 12 359 prej të cilave janë vetëm në Qytetin e Shkupit. Në fletëvotimet për anëtarë të këshillave komunal ka 50 143 fletëvotime të pavlefshme, 13 428 prej të cilave janë vetëm në Qytetin e Shkupit.

Të pavlefshme në Qytetin e Shkupit janë llogaritur edhe të gjitha votat për listën e këshilltarëve nga radhët e partisë Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqëve në të cilin ishte konstatuar se figuronte edhe një kandidate e cila kishte vdekur. Nuk dihet akoma se sa vota ka marrë kjo listë që e shtojnë numrin e votave të pavlefshme por gjithsesi, Shifra mbetet e lartë edhe në nivel shtetëror.

Mbi 2400 vota të pavlefshme ka në Aerodrom, 1600 në Butel, 1900 në Ohër, 2100 në Tetovë, 1300 në Strumicë dhe 1600 në Çair.

Numri i votave të pavlefshme rritet madje edhe dyfishohet nga procesi në proces.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, pati 11,472 fletëvotime të pavlefshme për kryetarët e komunave dhe 13,367 për këshilltarë.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021 kishte një total prej 37,859 votash të pavlefshme.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, u regjistruan një total prej 24,305 fletëvotimesh të pavlefshme, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, u numëruan 27,127 fletëvotime të pavlefshme.

Në zgjedhjet lokale, të drejtë vote kishin 1,832,415 votues, të cilët votuan në 3,474 qendra votimi. Prej tyre votuan 885,085 qytetarë dhe 831,361 fletëvotime ishin të vlefshme.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull