Procesi i Maturës shtetërore për vitin 2026 sjell ndryshime të rëndësishme për maturantët, veçanërisht për ata të shkollave profesionale dhe artistike. Qendra Shtetërore e Provimeve vlerëson se testimi i këtij viti do të jetë më i drejtë dhe i përshtatur me orët mësimore që nxënësit kanë ndjekur gjatë katër viteve. Drejtoresha, Daniella Jovçevska Mihajllovska, sqaron se ky hap është ndërmarrë për të evituar pabarazinë që ekzistonte mes gjimnazistëve dhe nxënësve të shkollave profesionale.
“Kjo është bërë për një arsye të thjeshtë: për t’ua lehtësuar nxënësve, sepse ndër vite është vërejtur se nxënësit e gjimnazeve i mësojnë lëndët që testohen në mënyrë eksterne me fond më të madh orësh dhe, rrjedhimisht, kanë akumuluar më shumë njohuri krahasuar me nxënësit e shkollave të mesme profesionale. Me qëllim që t’u dilet në ndihmë nxënësve dhe që edhe ata të arrijnë rezultate në përputhje me arsimin e tyre, është bërë ky ndryshim, i cili nuk paraqet diçka të re”, tha Daniella Jovçevska Mihajllovska, drejtore e QSHP.
Deri më tani janë paraqitur gjithsej 14,573 nxënës për të gjitha llojet e provimeve. Një pikë tjetër e rëndësishme mbetet regjistrimi në fakultete. Nxënësit që zgjedhin maturën profesionale do të kenë mundësi vazhdimi të studimeve në institucionet e arsimit të lartë që përputhen me profilin e tyre të shkollës së mesme.
“Sa i përket regjistrimit në fakultete, nxënësit që kanë zgjedhur maturën shtetërore mund të regjistrohen në cilindo fakultet, sipas zgjedhjes së tyre. Nxënësit që kanë zgjedhur maturën shtetërore profesionale duhet të regjistrohen në drejtimin përkatës, pra kanë mundësi vazhdimi në institucionet e arsimit të lartë që përputhen me arsimin e fituar në shkollën e mesme. Së bashku me fakultetet dhe ministrinë është punuar që të hartohen lista ku përcaktohet nga çdo shkollë e mesme dhe çdo profil arsimor se në cilat drejtime mund të regjistrohen nxënësit”, u shpreh Daniella Jovçevska Mihajllovska, drejtore e QSHP.
Për sa i përket datave të provimeve, ato do të nisin në fillim të muajit qershor. Më 6 qershor 2026 do të jepet provimi i gjuhës angleze ose matematika. Më 11 qershor do të jepet provimi i gjuhës amtare për nxënësit që kanë zgjedhur maturën shtetërore. Ndërsa nxënësit që kanë zgjedhur maturën shtetërore profesionale dhe maturën shtetërore artistike do ta japin provimin më 12 qershor. Ata nxënës që kanë kaluar Maturën Profesionale ose Maturën Artistike mund vitin tjetër të japin edhe Maturën Shtetërore, nëse duan të ndryshojnë fakultetin ose të aplikojnë në një fakultet ku kërkohet Matura Shtetërore./Alsat.mk

