Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut konsiderojnë se nëse përfshihen në politikë, do të përlyhen me njollë të keqe ndërsa politikën e shohin si diçka të bezdisshme, që nuk ju ngjall fare interes. Politologu Naim Iljazi për Portalb tha se kjo është pasojë e frrikës për të kundërshtuar autoritetin që ju është krijuar në mënyrë traumatike të rinjve. Kuvendi aktualisht numëron vetëm dy deputetë të rinj ndëra asnjë ministër nuk ka deri në moshën 29 vjeçe, shkruan Portalb.mk.
Portalb-i bisedoi me katër të rinj, arsyet i kishin të ndryshme, por të gjithë u pajtuan se politika nuk është diçka ku ata e shohin veten në të ardhmen, pasi ju duket si diçka jo e mirë për t’u marrë.
Venhar Ademi konsideron se politika i ka dyert e mbyllura për të rinjtë, thotë se edhe po të përfshihen, zëri i tyre s’do dëgjohet dhe do të nëpërkëmben.
“Sepse shpesh herë mungon ndjeshmëria ndaj problemeve të tyre, për ta bërë më tërheqëse politika duhet të jetë më e hapur, më e sinqertë, si dhe duhet të krijojë hapësira ku të rinjtë do të mund të ndjehen më të dëgjuar dhe më të përfaqësuar, tha Venhar Ademi, student i Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”.
Olt Rexhepi nga ana tjetër thotë se është lodhur duke i parë të njëjtat fytyra ndërvite që marrin vendime, e sheh të pamundur përfshirjen e fytyrave të reja.
“Ajo shihet si diçka mjaft e korruptuar, në të cilën ndryshimet janë shumë të ngadalshme dhe nuk vinë në vendin e vet, të rinjtë janë inferior ndaj politikës, sepse kur përfshihen ndjehen sikur janë përlyer me diçka mjaft të rrezikshme, dhe gjithmonë ndjehen të pasigurt në atë rrugëtim që e marrin nga politika. Poashtu sepse të njëjtat fytyra gjithmonë i kemi prezente, pa pasur fytyra të reja siç janë të rinjtë”, tha Olt Rexhepi, nxënës në Gjimnazin e Tetovës.
Ngjashëm mendon Marija Jovanovska.
“Po për shkak të skepticizmit politik, i cili rezulon me praktika të këqija politike në shtetin tonë dhe sidomos partizimi i skajshëm i sistemit” tha Marija Jovanovska, studente e Shkencave Mjekësore në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”.
Amra Osmani potencoi faktin që të rinjve prej në moshë shumë të njomë ju thuhet se nuk duhet të merren me politikë pasi do të përlyhen.
“Neve prej në moshë të vogël na është thënë se politika është diçka e korruptuar, negative, andaj të rinjtë nuk e kanë besimin e duhur dhe nuk shohin ndonjë ndryshim apo impakt pozitiv këtu. Pika e dytë që është e rëndësishme, është fokusi i dobët i të rinjve, nuk ka ndonjë nismë apo iniciativë ku të rinjtë përfshihen. Për mua më atraktive pjesëmarrjen në politikë do ta bënte nëse ne si të rinj do të kishim mundësi të merrnim vendime për të ardhmen tonë”, tha Amra Osmani, nxënëse e mjekësisë.
Kuvendi ka vetëm 2 deputetë të rinj ndërsa qeveria asnjë ministër
Ligjërisht, i ri në Maqdoninë e Veriut konsiderohesh deri në moshën 29 vjeçe.
Shumica e deputetëve, përkatësisht 45 janë të moshën prej 36-45 vjeçe, më pas 41 deputetë kanë nga 46 deri në 55 vjet ndërsa 17 deputetë kanë nga 56-65 vjet. Deputetja më e vjetër Merita Kollçi Koxhaxhiku nga koalicioni “VLEN” ka 66 vjeç dhe bie në kategorinë e grupmoshës së fundit.
Të rinjtë janë në numër shumë më të vogël, kështu që në Kuvend hyjnë vetëm 2 deputetë të kategorisë së grupmoshës 21-29, përkatësisht Amar Mecinoviq nga E Majta dhe Dragana Bojkovska nga koalicioni “Maqedonia jote” të udhëhequr nga VMRO – DPMNE. Nga 30 deri në 35 vjeç kanë 12 deputetë.
Politologu Iljazi: Kjo njihet si sindroma e skllavërisë

Portalb-i bisedoi me politologun Naim Iljazi, ai thotë se Maqedoninë e ka pushtuar sindroma e skllavërisë, ku njerëzit s’kanë më guxim që t’i thonë mendimet e veta dhe kanë adhurim ndaj autoritetit.
“Kjo është nj sindromë që njihet si sindroma e skllavërisë, ku njerëzit nuk e kanë guximin të dalin dhe të flasin, apo t’i thonë mendimet e veta, apo kanë adhurim ndaj autoritetit. Për këtë arsye ne kemi një sistem autoritar, ku të rinjtë e shohin si frikë dominimin dhe marrjen e sistemit, që të kemi qasje më të lehtë në sistem, apo që të rinjtë të përfshihen në sistem”, tha Naim Iljazi, politolog.
Ai thotë se “duhet që autoriteti i sistemit, partitë politike, t’ju lënë më shumë hapsirë të rinjve, vetvetiu, dhe nga aty atyre t’ju hiqet ajo ndrojë apo frikë që ju është krijuar në mënyrë traumatike”.
Ndryshe, Portalb-i para disa muajsh publikoi një hulumtim në të cilin konstatohej se gjendja me të rinjtë në vend është përkeqësuar ku vetëm shtatë persona janë të angazhuar për politikat rinore ndërsa partitë politike s’i mbajnë premtimet e dhëna për të rinjtë.