Polemika janë ndezur midis pushtetit dhe opozitës për blerjet e ushqimeve për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, pasi LSDM akuzoi zyrtarët e kryeministrit Hristijan Mickoski se shijojnë ushqime luksoze, duke përfshirë salmon dhe karkaleca, ndërsa qytetarët përballen me vështirësi ekonomike. Me të njëjtën masë është përgjigjur edhe VMRO-DPMNE-ja, duke theksuar se janë “lajme të rreme”, që do të thotë se janë zyrtarët e LSDM-së që kanë ngrënë salmon dhe karkaleca, si dhe karavidhe derisa kanë qenë në pushtet, raporton Portalb.mk.


Në deklaratën e saj, LSDM pretendon se Qeveria ka shpenzuar miliona para publike për salmon, karkaleca, oktapod dhe ushqime të tjera ekskluzive, ndërsa rrogat e qytetarëve nuk mjaftojnë as për ushqimet elementare. Sipas partisë opozitare, kjo është dëshmi e karakterit “shpërdorues dhe të paprekur” të qeverisjes aktuale.
Në anën tjetër, VMRO-DPMNE mohon se kanë porositur salmon dhe karkaleca, por se bëhet fjalë për marrëveshje kornizë për prokurimin e ushqimit, e cila përdoret vetëm nëse ka nevojë për delegacione zyrtare, e jo që ushqim i tillë të jetë prokuruar realisht.
Ata akuzuan qeverinë e mëparshme të LSDM-së, konkretisht ish-kryeministrin Zoran Zaev dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili tani është lider i opozitës, për korrupsion. Ata pretendojnë se Filipçe ka ngrënë ushqim luksoz me “para të vjedhura” dhe se Zaev ka investuar në ndërtesa në Dubai.
Kjo përballje verbale vjen në një kohë kur publiku është i ndjeshëm ndaj sfidave ekonomike, rritjes së çmimeve të produkteve dhe stanjacionit të pagave, ndërsa partitë politike po përdorin çdo mundësi për të akuzuar njëra-tjetrën në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale.