Lotaria Shtetërore e Maqedonisë: Hetimet vazhdojnë, të dyshuarit ende në arrati

3 Min. Leximi

Me urdhër të Prokurorisë Publike të Maqedonisë së Veriut, Policia Financiare po mbledh dokumentacion shtesë për një sërë çështjesh penale të hapura ndaj Lotarisë Shtetërore maqedonase. Po zhvillohen, gjithashtu, veprime parahetimore edhe për prokurime të tjera publike, të realizuara gjatë udhëheqjes së kaluar. Nga Artan Grubi dhe Përparim Bajrami – të akuzuar “për përvetësim të pasurisë së paligjshme” nga Lotaria Shtetërore – ende nuk ka asnjë gjurmë.

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toçkovski, më 26 dhjetor të vitit të kaluar tha se “nëse nuk kthehet vullnetarisht, do ta gjejmë mënyrën e duhur për ta kthyer” – duke iu referuar ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili kishte kaluar kufirin me Kosovën dhe nuk ishte kthyer më në shtëpi.

- Advertisement -

Kanë kaluar shtatë muaj nga ajo deklaratë, por Grubi nuk është kthyer në territorin e Maqedonisë së Veriut – të paktën fizikisht. Më 7 qershor, ai u shfaq virtualisht në Facebook dhe Instagram, duke ndarë urime për ditëlindje nga të afërmit dhe miqtë.

Deri më tani, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Policisë Financiare kanë ngritur pesë kallëzime penale për keqpërdorime të supozuara në Lotarinë Shtetërore gjatë kohës që ajo udhëhiqej nga Përparim Bajrami. Për Bajramin dhe Grubin, gjykata kishte caktuar masën e paraburgimit në dhjetor të vitit të kaluar, por të dy mbeten të pakapshëm për autoritetet e drejtësisë.

Deri më tani, e vetmja deklaratë për vendndodhjen e mundshme të Artan Grubit ka ardhur nga zëvendëskryeministri Izet Mexhiti – i cili ka thënë se Grubi, që ndodhet gjithashtu në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit, nuk është në Kosovë, por po fshihet në Shqipëri.

Megjithatë, edhe pas kaq kohe, askush nuk e ka konfirmuar zyrtarisht apo institucionalisht këtë pretendim të Mexhitit. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme, as pas tetë muajsh nga arratisja e Grubit, ende nuk e di me saktësi se ku ndodhet ai.

- Advertisement -

“Ministria e Punëve të Brendshme është në komunikim të vazhdueshëm me shërbimet përkatëse të vendeve ku, sipas informacioneve operative, mund të gjendet personi. Në rast të lokalizimit të tij, do të merren të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për ta kthyer atë në vend”, thuhet në një përgjigje të kësaj ministrie për Radion Evropa e Lirë.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull