Ish ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar publikisht përmes një postimi në Facebook, duke akuzuar Regjistrin Qendror për diskriminim të vazhdueshëm institucional ndaj komuniteteve jo-shumicë informon Tetovasot.
Sipas Llogës, në këtë institucion nuk ka asnjë përfaqësues nga radhët e shqiptarëve, turqve, boshnjakëve, romëve apo egjiptianëve në pozita udhëheqëse, pavarësisht strukturës së gjerë organizative.
“Mbi 50 pozita udhëheqëse – zero. Tre sektorë – zero. 21 njësi – zero. 27 zyra rajonale – zero. Regjistri Qendror është një nga institucionet që ka alergji ndaj udhëheqësve nga komunitetet jo-shumicë”, ka shkruar Lloga.
Ai thekson se kjo gjendje nuk është rastësore, por pasojë e një mbylljeje të qëllimshme dhe sistematike që, sipas tij, zgjat më shumë se tri dekada.
Lloga e cilëson mungesën e përfaqësimit si shkelje serioze të parimeve të barazisë dhe meritokracisë, duke shtuar se barazia nuk mund të mbetet vetëm në nivel deklarativ, por duhet të reflektohet në strukturat drejtuese të institucioneve shtetërore.
“Për më shumë se 35 vjet, Regjistri Qendror ka funksionuar me dyer hermetikisht të mbyllura për komunitetet jo-shumicë. Kjo është diskriminim i strukturuar dhe i toleruar nga sistemi”, ka theksuar ai.
Reagimi i ish ministrit ka ngjallur diskutime në opinion për përfaqësimin e drejtë dhe gjithëpërfshirës në institucionet publike të vendit.

