Lirohet 18-vjeçari i arrestuar për e-mailat kërcënuese nëpër Shkollat e Tetovës

2 Min. Leximi

“Kam dashur të tallem me nxënësit dhe shkollën, këto sipas të dhënave të televizionit Alsat brenda MPB-së, kanë qenë motivet e dërgesës së emailave si në MPB po ashtu edhe në disa shkolla të Tetovës, gjoja se ka të vendosur Bombë”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.

18 vjeçari nga Pallatica e Zhelinës, i arrestuar për dërgesën e e-mailave kërcënues nëpër shkolla, është gjimnazist në Tetovë. I njëjti pasi është marrë në pyetje, është dërguar në Prokurorinë e Shkupit, ndërsa në ekspertizë u dërguan edhe kompjuteri dhe celulari i tij.

Pas marrjes në pyetje në Prokurorinë e Shkupit, i njëjti është lënë i lirë në ndjekje të procedurës së rregullt.

Nga Prokuroria nuk tregojnë për arsyet e këtij vendimi.

Nga Komuna e Tetovës kërkojnë që gjyqësori të merr masat e duhura për këtë çështje.

“Falë bashkëpunimit dhe angazhimit maksimal të krye shefit të SPB Tetovë dhe strukturave të tjera të MPB-së, u arrit kapja e autorit që lëshonte këto paralajmërime për bomba. Tani mbetet organeve të drejtësisë, për procedura të mëtejme dhe zbatim të plotë të Kodit Penal të RMV-së”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Komuna e Tetovës.

Nga Sektori për Arsim i komunës së Tetovës njoftuan se do të kërkojnë nga Ministria e Arsimit modus për zëvendësimit të orëve të humbura, me theks të veçantë në Gjimnazin e Tetovës, ku ka pasur 14 paralajmërime të rrejshme për bombë dhe ku janë humbur dhjetëra orë mësimore./ Alsat/

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull