Frika dhe pagjumësia për familjen Shukriu nga fshati Likovë nuk kanë fund. Çarja e tokës që tashmë ka ndarë dhe bllokuar oborrin e kësaj familje çdo ditë e më shumë po rrezikon muret e shtëpisë dhe stallën. Pavarësisht që familja është kthyer në shtëpi pas katër muajsh qëndrim nëpër familjarë, rreziku mbetet i njëjtë. Për anëtarët e familjes, nata nuk është kohë për gjumë, por për roje.
“Krejt shtëpia po qëndrojmë me frikë në shtëpi, pak gjumë, pak roje…Lopët i kemi nëpër shtëpi të huaja, tash kemi kthyer në vendin tonë, në shtëpinë tonë, gjithnjë nuk shkon nëpër katunde të huaja Probleme sa të duash, gjithnjë duhet të kujdesemi kur të hymë brenda se mundet me bë edhe më shumë dëm, mundet të na zë kodra, muri mund të rrënohet e të na zë, gjithnjë me frikë me hy brenda. Sa më shpejt shteti të marr masa, nuk shkon jeta nëpër shtëpitë huaja,” u shpreh Agim Shukriu, Banor i Likovës.
Sipas Shukriut, Komuna e Likovës i ka ndarë një shumë prej 3,000 eurosh, por kjo shumë nuk zgjidh problemet e mëdha. Kërkojnë një zgjidhje nga shteti, pasi çarjet e tokës vazhdojnë të zgjerohen.
“Komuna i ka lëshuar tre mijë euro me pastruar rrugën, me hy brenda. Me tre mijë euro çka mundesh me bë, nuk mundem t’i mbuloj harxhimet që i kam bë me familje, me krejt. Shtëpia e vëllait është hazër me u prish edhe muri i kojshisë, është mjaft poshtë. Kjo është pronë e shtetit, vendi ku jemi është pronë e jona, është në territor të shtetit, shteti duhet të marrë masa sa më shpejt për këtë punë,” tha Agim Shukriu, banor i Likovës.
Nga Komuna e Likovës njoftojnë se kanë ndërmarrë një sërë masash për të garantuar sigurinë e banorëve dhe për të minimizuar rrezikun nga rrëshqitja e mëtejshme e dheut. Sipas kësaj komune kërkesa me të gjitha detajet dhe elaboratit i është dërguar Qeverisë për mbështetje financiare, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret. Komuna i bëri thirrje Qeverisë që seriozisht ta trajtojë këtë problem me qëllim që të parandalohet rreziku qoftë për këtë familjen apo banorët e tjerë të cilët jetojnë në vendin e quajtur “Uji i Tharrtë. /Alsat.mk

