Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të shqyrtohet në seancën plenare të Komisionit të Venedikut

4 Min. Leximi

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Maqedoninë e Veriut sot do të shqyrtohet në seancën plenare të Komisioni të Venedikut me fillim nga ora 14:30, shkruan Portalb.mk.

Në draft-agjendën e seancës, draft-mendimi mbi projektligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është e 15-ta në rend të ditës.

“Komisioni është ftuar të zhvillojë shkëmbim pikëpamjesh me një përfaqësues nga Maqedonia e Veriut dhe të shqyrtojë, me qëllim miratimin, draft Opinionin (CDL(2025)058) (MJ/DV/es) mbi projektligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat (CDL-REF(2025)037), të hartuar në bazë të komenteve nga Z. Kuijer, Z. Paulus dhe Z. Velaers. Ky Opinion u kërkua nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut më 11 korrik 2025. Nënkomisionet për Institucionet Demokratike dhe për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare do ta shqyrtojnë këtë draft Opinion në takimin e tyre të përbashkët më 11 dhjetor 2025”, thuhet në agjendë.

Më tej shtohet se mendimi është përgatitur në kuadër të Mekanizmit të Bashkëpunimit për Ekspertizë në kuadër të programit të përbashkët BE/KiE, Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe i zbatuar nga Këshilli i Evropës.

Maqedonia e Veriut në sesioni plenar do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri Arben Fetai.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka deklaruar se menjëherë pas marrjes së opinionit përfundimtar nga Komisioni i Venedikut, ligji do të procedohet për miratim në Kuvend.

Propozim-ligji që do të zëvendësojë balancuesin parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik. Ky organ do të vlerësojë përbërjen etnike të institucioneve, do të kërkojë raporte vjetore dhe, në rast mbipërfaqësimi, do të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve. Punësimet e reja do të bëhen sipas planeve të hartuara me një metodologji të re të Agjencisë për Nëpunës Administrativë dhe do të bazohen më shumë në meritë përmes testimeve elektronike dhe trajnimeve. Qëllimi është të shmangen abuzimet e së kaluarës dhe të garantohet një administratë më efikase.

Në fillim të shtatorit, delegacioni i Komisionit të Venedikut, erdhi në Shkup për të vlerësuar për së afërmi procesin e krijimit të ligjit duke u takuar me përfaqësuesit e Qeverisë së RMV-së. Ata u takuan edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, dhe gjyqtaren Ana Pavllovska Daneva. Delegacioni, siç njoftoi Gjykata, ishin të interesuar për kuptimin dhe përmbajtjen e vendimit për shfuqizimin e Balancuesit. 

Kujtojmë se pas shfuqizimit të “Balancuesit” në Maqedoni, ka mbi një vit që nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e “Balancues”-it, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike. Për çështjen në fjalë pati reagime nga opozita se shqiptarët po anashkalohen për t’u punësuar bashkëqytetarët maqedonas. Nga ana tjerët, partia shqiptare në pushtet i mohon këto akuza.

Lënda për shfuqizimin e “Balancuesit” u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull