Ligji për përfaqësim, Mexhiti: Opozita nuk është konstruktive, uroj të reflektojnë

2 Min. Leximi

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, në një intervistë për Alsat M, ka kritikuar qëndrimin kontradiktor të opozitës shqiptare ndaj Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

Mexhiti theksoi se ata që sot kritikojnë zëvendësimin e balancuesit, në të kaluarën e kanë quajtur atë të dëmshëm dhe kanë premtuar shfuqizimin e tij.

- Advertisement -

“Në fushatën për kryeministrin shqiptar në vitin 2020, në programin e kandidatit shkruhej qartë se balancuesi do të shfuqizohet sepse është i dëmshëm. Të njëjtët që atëherë premtonin shfuqizim, sot po e vajtojnë atë mekanizëm,” tha Mexhiti.

Ai shtoi se opozita e atëhershme nuk pati guxim të thotë se do të sjellë një ligj të posaçëm për përfaqësim, ndërsa tani, qeveria aktuale po e bën këtë pa premtime të mëparshme.

“Në programin e tyre thuhej se zgjidhja do të bëhej përmes certifikatës së lindjes. Ndërsa në ligjin që kemi sjellë ne në qeveri, saktësohet se përkatësia etnike do të vërtetohet përmes dokumenteve personale si letërnjoftimi, pa pasur nevojë për deklarim të drejtpërdrejtë,” shtoi ai.

Mexhiti u shpreh i zhgënjyer që përkundër avancimit të çështjes shqiptare, opozita zgjedh të kritikojë në vend që të kontribuojë. Ai përmendi disa nga arritjet e qeverisë në këtë drejtim: sjelljen e Ligjit për Medresenë “Isa Beu” pas 30 vitesh, përgatitjen e ligjit për kazinot që do të reduktojë 70% të tyre në vendbanimet shqiptare, dhe sjelljen e Ligjit për përfaqësim të drejtë.

- Advertisement -

“Në politikën ditore mund të ketë kritika, por kur sillet një ligj që garanton përfaqësim të drejtë, atëherë pres reflektim dhe bashkim. Uroj që opozita të reflektojë dhe ta përkrahë të mirën,” përfundoi Mexhiti.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull